Si do të përfundojë lufta në Ukrainë? Ndoshta si konflikti i Koresë në vitin 1953

Nga Sergey Radchenko “The New York Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas një viti luftimesh të përgjakshme, në të cilën kanë humbur jetën mijëra njerëz, është shkatërruar infrastruktura civile dhe janë shkaktuar dëme të pallogaritshme, konflikti  ka arritur në një ngërç. Asnjëra palë nuk do të mbështesë një zgjidhje të negociuar. Në fushën e betejës, ushtritë e dobësuara të të dyja palëve përleshen çdo ditë për pak metra përparim, dhe e bëjnë këtë duke paguar një kosto të tmerrshme.

Kërcënimi i përshkallëzimit të luftës në një luftë bërthamore, mbetet gjithmonë i pranishëm. Dhe situata i ngjan shumë luftës në Gadishulli Korean në vitin 1951. Sigurisht, nuk ka asnjëherë dy luftëra identikisht të njëjta.

Por në historinë e gjatë të gjakderdhjeve, vetëm një luftë mund të krahasohet nisur nga rëndësia e saj me atë aktuale që po zhvillohet në Ukrainë: Lufta e Koresë e viteve 1950-1953, ku koreano-jugorët dhe aleatët e tyre, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, luftuan kundër trupat koreano-veriore dhe kineze, të mbështetura nga Bashkimi Sovjetik.

Nga ai konflikt mund të nxirren të gjitha llojet e mësimeve. Por më i rëndësishmi mund të jetë mbi mënyrën si si përfundoi. Në Ukrainë, fundi i luftës duket ende shumë i largët. Për Rusinë, fitorja ka shumë të ngjarë të jetë sigurimi i kontrollit mbi territorin ukrainas që ajo e pretendon si të sajin.

Për Ukrainën, fitorja nuk është asgjë më pak sesa largimi i trupave ruse nga i gjithë vendi, përfshirë Krimenë. Asnjëra palë nuk është e interesuar për negociatat, dhe është e vështirë të shihet se si mund të arrihet një marrëveshje për paqe. Në Kore, situata ishte e ngjashme: as koreano-veriorët, as koreano-jugorët, dhe as sponsorët e tyre, nuk nxituan për t’i dhënë fund luftës.

Por konflikti që shkaktoi vdekjen e 3 milionë njerëzve dhe shkatërrimin e qyteteve të tëra, u zbeh gradualisht, duke çuar në një armëpushim dhe në një ndarje të përkohshme të Gadishullit Korean, që më vonë u provua të ishte më e qëndrueshme se sa mund ta imagjinonte dikush në atë kohë. Në fund, një konflikt i ngrirë u pa të ishte më i preferueshëm ndaj alternativave.

Vendimi për fillimin e luftës në Kore u mor nga një njeri: Josif Stalin, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik. Pasi refuzoi në fillim lutjet e diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung, për lejen e Moskës për të pushtuar jugun e gadishullit, Stalini ndryshoi mendje në janarin e vitit 1950.

Arsyet ishin të dyfishta. Së pari, duke qenë në prag të nënshkrimit të Traktatit të Aleancës Kinë-Bashkimi Sovjetik, që do të nënshkruhej në Moskë më 14 shkurt 1950, Stalini e dinte se mund të mbështetej tek kinezët për të marrë pjesë në luftë nëse do t’ua kërkonte këtë gjë.

Arsyeja e dytë ishin sinjalet mashtruese nga Shtetet e Bashkuara. Më kryesorja midis tyre ishte deklarata e famshme e Sekretarit të Shtetit Dean Acheson më 12 janar 1950, që e përjashtonte Korenë nga “perimetri mbrojtës” i Amerikës. E kombinuar me përgjimin e komunikimeve sekrete, ajo mjaftonte për të siguruar Stalinin – në fund rezultoi të ishte i gabuar – se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërhynin ushtarakisht në Kore.

Pasi morën dritën jeshile për të nisur pushtimin, forcat e Koresë së Veriut e kaluan paralelin e 38-të më 25 qershor 1950, duke pushtuar shpejt Seulin dhe duke përparuar me shpejtësi duke kryer një spastrim të madh që mund të kishte përfunduar me pushtimin e të gjithë Koresë.

Por një ndërhyrje vendimtare e Shteteve të Bashkuara, nën flamurin e Kombeve të Bashkuara, shkaktoi kaos në radhët e ushtrisë së Koresë së Veriut dhe e ktheu valën e luftës. Në fund të shtatorit 1950, gjenerali Douglas MacArthur, që drejtonte ushtritë e Perëndimit, mori vendimin fatal për të kaluar në Korenë e Veriut, duke synuar që të çlironte gjysmën veriore të vendit.

Duke parë këto zhvillime nga larg, Stalini u bëri thirrje kinezëve që t’i bashkoheshin konfliktit. Pas disa hezitimeve fillestare, Mao, që vetëm një ditë më parë kishte hyrë si triumfator në Pekin, ra dakord me planin. Kinezët nisën të depërtojnë fshehurazi në Korenë e Veriut në fund të tetorit 1950.

Kësisoj lufta hyri në një fazë të re të përgjakshme. Fillimisht “vullnetarët e popullit” kinezë (siç u quajtën gabim qëllimisht këto trupa) arritën disa fitore mbresëlënëse, duke i sprapsur forcat e Kombeve të Bashkuara në jug të paralelit të 38-të dhe duke e rimarrë Seulin.

Por iniciativa e tyre nuk zgjati shumë. Për shkak të vështirësive logjistike dhe bombardimeve amerikane, ofensiva mori fund në majin e vitit 1951. Por as amerikanët nuk ishin në gjendje të bënin shumë përpara në muajt që pasuan. Megjithëse të dyja palët zhvilluan disa beteja midis tyre gjatë viteve 1951-1953, vija e frontit ngeci në vend.

Që në verën e vitit 1951 u bë e qartë se lufta nuk do të çonte askund. Por u deshën edhe dy vite të tjera përpara se të përfundonin luftimet. Ndërkohë, u vranë dhjetëra mijëra njerëz të tjerë dhe bombardimet e gjera të SHBA-së ndaj digave të HEC-eve në Korenë e Veriut çuan në ndërprerje të plotë të energjisë elektrike në Veri.

Arsyeja e supozuar e vonesës së armëpushimit, ishte se shumë robër lufte kinezë dhe koreano-veriorë nuk treguan interes për t’u shkëmbyer, duke preferuar të qëndronin me robërit e tyre. Por problemi i vërtetë ishte ngurrimi i Stalinit për të rënë dakord mbi një armëpushim.

Diktatori sovjetik ishte i lumtur me vazhdimin e luftës. Tek e fundit ata që vdisnin më shumë në fushën e betejës ishin kinezët, koreanët dhe amerikanët. Vetëm me vdekjen e Stalinit në marsin e vitit 1953, udhëheqësit sovjetikë e rishikuan qëndrimin dhe i nxitën aleatët e tyre të shkonin drejt një marrëveshje.

Marrëveshja e armëpushimit u nënshkrua në fshatin e vogël të Panmunjom më 27 korrik 1953. Më pas pati asnjë traktat paqeje, dhe asnjë zgjidhje të negociuar. Teknikisht, lufta është ende e ngrirë, e pa mbaruar. Megjithatë, pasoi një paqe e pasigurt dhe që çuditërisht po zgjat ende sot.

Ka pasur të dhëna se Kim Il Sung mendoi për një pushtim tjetër të Koresë së Jugut në fundin e viteve 1960, kur SHBA-ja po përballej me disfatën në Vietnam, dhe dukej më pak e përgatitura për një tjetër angazhim në Kore. Por as kinezët dhe as sovjetikët nuk ishin entuziastë.

Shtatëdhjetë vjet pas armëpushimit, dinastia Kim e sundon ende Veriun. Regjimi brutal, tani i armatosur me armë bërthamore, mbështetet ende nga Kina dhe Rusia, dhe thuhet se i ka ndihmuar rusët me municione. Edhe Kina ka mbajtur shënim shumë gjëra nga lufta e dështuar e Vladimir Putinit, edhe pse në dallim nga Stalini në vitin 1951, Xi Jinping nuk dëshiron ndoshta që ta shohë këtë luftë të zgjasë pafundësisht. Ai me siguri do të ishte shumë i lumtur me një armëpushim.

Në fakt, kjo mund të jetë zgjidhja e preferuar në qarqet e tjera – sidomos në hemisferën jugore që nuk sheh asgjë për të përfituar nga konflikti, por edhe midis shumë segmenteve të popullsisë në Perëndim. Palët që e kundërshtojnë më hapur këtë ide janë ato që po e luftojnë në terren: rusët dhe ukrainasit.

Për Ukrainën, që po arrin të zmbrapsë një forcë pushtuese që pretendon të aneksojë gati çerekun e territorit të saj, një pozicion i tillë është i kuptueshëm. Megjithatë, në rast se asnjëra palë nuk arrin përfitime të rëndësishme territoriale gjatë muajve të ardhshëm, konflikti mund të jetë duke shkuar drejt një armëpushimi.

Edhe pse mund të mos i kenë rimarrë plotësisht territoret e tyre, ukrainasit do të kenë shmangur të paktën një armik agresiv. Nga ana e tyre, rusët mund ta maskojnë humbjen e tyre strategjike si një fitore taktike. Konflikti do të jetë i ngrirë, një rezultat ky jo ideal për askënd.

Megjithatë, nëse kemi mësuar ndonjë gjë nga Lufta Koreane, është se një konflikt i ngrirë është më i preferueshëm nga një disfatë e plotë apo një luftë rraskapitëse që vazhdon pa fund. Sot, metropoli vezullues i Seulit, qëndron për shumëkënd si një kujtesë e gjallë se rëndësi nuk kanë ata që fitojnë luftën por që fitojnë paqen. /albeu.com

Shënim:Sergey Radchenko, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shkollën Xhon  Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare.

 


Shtuar 25.02.2023 10:09