Bumi i pleqve italianë, deti, rera dhe dielli do të kthehen në mision të pamundur për shqiptarët

Shkruan Edmond Arizaj

Këta turistët e bumit të këtij viti, që ankohen e që bëjnë llapa-llapa, nëse duan edhe çmime të ulëta, edhe shërbim me pesë yje, të shkojnë në Sardenjë, në Santorini, Bora-Bora, apo Maldivet normale.

Po tani, edhe të presësh biletë Wizair 20 euro, edhe të kërkosh shërbim e kushte si në biznes klas me Fly Emirates, rri pak ngushtë.

Qejfi paguhet. Edhe për ata që qëmtojnë për të kursyer 5 euro. Kërkojnë çmime të lira, plus shërbim mbretëror!!!

Ne shqiptarët e shkretë kemi kaq vite që lutemi e ulërasim vetëm për shërbimin.

Por pas këtij sezoni, jam kaq shumë i sigurtë se do kemi edhe më për t’u ankuar.

Pse? Sepse vitin tjetër, mos prisni më çmime të përballueshme me një kredi të vogël. Do të duhen dy.

Deti, rëra, Dielli, freskia do të kthehen në një mall shumë të shtrenjtë dhe për shqiptarët mesatarë e nën mesatarë nuk do të mbetet pothuaj asgjë, as plazh publik, as det i lirë, asgjë.

Sepse turizmi “low coast” do të vazhdojë të jehojë nëpër tik-toqe, e instagrame, pavarësisht se “pronarët” e bregdetit shqiptar do të vijojnë me ngritje çmimesh.

Ooo mund të vë bast që sot me kë të dojë që çmimet do të rriten!

Dhe pastaj do kujtohemi për ata 500 mijë shqiptarët e Kosovës që i ndërruam me 500 mijë fukarenjtë e Italisë, që llogarisin edhe një euro për shishen e ujit, shërbyer në buzë të detit.

Jam i sigurtë që në Karpi, Puglia, Siçili, Sardenjë, Rimini, po buzëqeshin këtë sezon pa pasur nëpër këmbë kopracët, kursimtarët, pleqtë e pensionistët.

Është bukur vërtetë të shohësh që miliona zgjedhin të pushojnë në vendin tënd.

Por është shëmtuar të kujtosh se shumë prej bashkëatdhetarëve e kanë të zorshme të pushojnë 10 ditë pa bërë llogari financash; është mision i pamundur të gjesh në 300 e kusur kilometra vijë bregdetare, një vend ku të ngulësh çadrën tënde, pa pasur afër dy prapanica që nuk i njeh, është pothuaj fantazi të flasësh për një parking falas, është gëzim të të shërbejnë buzagaz për të paktën një orë…

Ndoshta ne shqiptarët duhet të tregohemi dredharakë. Nuk mund të pushojmë më (shumica) në vendet më të bukura tonat në periudhën korrik-gusht, por ama nga maji-qershori dhe shtator-tetori mund të kemi pushime fantastike, pa rrëmujë, me shërbim të përkryer (me siguri 80 përqind), parking pa pagesë, ushqim mëse i freskët dhe më i lirë, deti aq i pastër sa mund të rregullosh flokët në pasqyrim, për çadrën s’të vjen njeri të të kapë nga krahu për pagesën, madje ke vende sa të duash të rrish në intimitet.

Edhe ndryshimet klimatike janë favorizuese. Mendojeni njëherë.


Shtuar 22.08.2023 10:53