Si u masakrua nga shokët për një lojë 15 vjeçari në Tiranë, i hedhin videon në internet
Dhuna mes adoleshentëve dhe të miturve është padyshim një alarm për policinë. Por dhuna duke përdorur jetën virtuale, ose me kërcënime ose me fotografi intime është një nga fenomenet që vërehet më së shumti në përplasjet mes të rinjve. Një i mitur, me inicialet I. Xh së bashku me prindërit, u paraqit në polici dhe kërkoi ndihmë.

Ajo që ai kërkoi ishte të hiqej nga rrjetet sociale një video e filmuar nga shokët e tij, ku ai ndodhet në qendër të një sherri. Sipas burimeve, i mituri tregon pranë drejtorisë vendore se prej pesë muajsh ai është gjendur nën talljet dhe komentet e shumta në një website, ku shokët e tij bashkëmoshatarë me të postuan një video ku fëmija rrihet prej tyre. Durimi i tij ka sosur kur të gjithë të njohurit në një moshë me të i tregonin se e kishin parë tek portali në fjalë.

Fëmija tregon në polici se konflikti nisi në muajin gusht të 2020, kur ai së bashku me shokët e tij kishin qenë tek ish-kinema 17 nëntori, ku dhe kishin luajtur play station.

“Pasi mbaruam lojërat në lokalin në katin e dytë ku ka play station, D. D më tha se e kisha bëra lojën me hile. Pasi më shau dhe më pështyu nisi të më godasë me shpulla në fytyrë dhe kjo skenë u filmua me celular nga të tjerët. Gjatë gjithë kohës ata më dhunuan dhe verbalisht dhe ndërkohë filmonin me celular”.


Por pas kësaj ngjarjeje sipas burimeve policore të gazetës Si, fëmija ka parë që kjo video ishte postuar në një portal.

“U ndjeva shumë keq. Disa shokë në lagje më pyetën a je ti në atë video. Të tjerë më pyesnin çfarë doje ti në këtë video. E shikoja videon, kushedi sa herë e kam parë dhe ndihesha keq dhe nuk dilja dot nga shtëpia”.

Por mësohet se në tetor fëmija ka shpresuar se kjo gjë po harrohej dhe ka tentuar ti kthehet rutinës së tij. Sërish shokët e tjerë e kanë pyetur. “Çfarë është ajo video ku po të rrahin”. I. Xh thotë në polici. “Pretendova se nuk isha unë dhe se nuk e kisha idenë. Prej muajsh hoqa enkas syzet dhe shtiresha se nuk isha unë, pasi ju thosha që unë nuk kam size. Por të gjithë më pyesnin pse ngjaja aq shumë me atë djalin që po e rrihnin dhe po e shanin”.

15-vjecari është bindur se kjo histori nuk mbyllej pavarësisht kohës që kalonte. “Shoku im i ngushtë mu afrua dhe më pyeti, kush janë ata që të kanë rrahur, më thuaj emrat vetëm kaq. Pse ta kanë bërë atë gjë? Pse të kanë rrahur me shpulla, kush janë ata?”

Burime të policisë shtojnëse fëmija është tallur nga të tjerë, të cilët sapo ai hynte në klasë ngrinin zërin duke i kujtuar se ishte tek portali.

“I vetmi person që e dinte historinë është vëllai im, më i vogël. Kisha nevojë të flisja, ngado, më tallnin për shpullat që më dhanë dhe për sharjen.

“Nënën time e njoftoi një shoqe, i tha ta kanë hedhur djalin në portal, ajo kishte mbetur pa fjalë dhe erdhi më pyeti kush është ky F.?”

Sipas policisë pasi fëmija ishte transformuar dhe ishte mbyllur në vetvete duke shmangur daljet nga shtëpia, e ëma ka njoftuar dajën, i cili ka kryer një hetim privat dhe i ka zbuluar të miturit e tjerë që bënë videon dhe e publikuan.

“Ata i kishin thënë dajës sim se e bënë videon për të më ndëshkuar, pasi ua kisha bërë me hile në play station, por nuk është e vërtetë, nuk bëra asnjë video”.

Pikërisht të rriturit kanë vendosur që të shkojnë në polici pohon një burim sipas të cilit kërkesa ka qenë vetëm një “ju lutemi na hiqni videon e djalit, fëmija është transformuar dhe është kthyer në një viktimë bullizmi – tha e ëma e cila është mësuese në një shkollë dhe ka dhënë alarmin se kjo gjë ndodh edhe tek të mitur të tjerë që viktimizohen përmes rrjeteve sociale”.

Gruaja tregon në polici se 15-vjecari gjendet në situatë të vështirë psikologjike, pasi për muaj të tërë e ka mbajtur të fshehtë problemin dhe se gjatë gjithë këtyre muajve është vënë në lojë dinjiteti i tij.

Policia thotë jozyrtarisht se fëmijës i është vënë në dispozicion një psikolog, i siguruar nga daja. Video është poshtëruese, diskriminuese, denigruese për imazhin e një të mituri – shton në polici e ëma, e cila i kërkon policisë të zhdukë pamjet filmike nga portali në fjalë dhe të marrë nën hetim fëmijët që e rrahën të birin dhe sipas saj i rrezikuan jetën.(gazeta SI)
Shtuar më 04/01/2021, ora 18:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori