Si Rama mori fitoren e parë pas shuplakave dy javore të studentëve
Pëlqej
Albeu.com
Që prej ditëve kur filloi protesta e studentëve, pasi i talli duke i quajtur ngelës, kryeministri Edi Rama po kërkonte një rrugëdalje nga kjo situatë, në mënyrë që të mos tërhiqej si humbës përballë furisë së studentëve.

Nëse do të dilte siç doli me armët kimike dhe do të tërhiqej, Rama do të cilësohej si humbës tek militantët e tij dhe më gjerë, ndërsa paranoja e pushtetit i thoshte se pas tetë pikave, studentët mund të kishin kërkesa të tjera duke i bërë 18 apo 28.

Kështu, për të mos dalë humbës, por edhe për të mos i nxitur edhe më tepër masat në mbështetje të studentëve, të cilët morën jo pak simpati tek qytetarët, Rama zgjodhi një rrugë të mesme, që "mishi të piqet e helli të mos digjet".

Ai i kërkoi negociata studentëve duke e quajtur dialog, gjë e cila i shërbente për të fituar kohë dhe për të matur pulsin e protestës.

Kur e pa se studentët e kishin shumë seriozisht, atëhere Rama investoi edhe ai seriozisht në tezën e dialogut duke patur si qëllim stisjen e një seance dialogu përmes të cilës të dilte dhe të thoshtë se i dëgjoi studentët dhe si "prind i mirë" merrte përsipër plotësimin e kërkesave të tyre.

Dhe kështu, pasi testoi dy studio dhe tek njëra situata i doli jashtë kontrollit sepse në rrjete sociale shpërtheu ironia mbi dialogun me FRESSH-istët, Rama filloi të kërkonte një skenë disi më reale.

Por, studentët nuk i shkonin kështu që duhej një plan tjetër.

Gjetja e një salle plot me studentë dhe futja atje pa i njoftuar më parë.

Këtë e testoi tek Gjeologjia, por nuk funksionoi pasi shumica dërrmuese ishin pedagogë të moshuar.

Në këtë mënyrë, Ramës i erdhi në ndihmë rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili i ftoi studentët për të folur duke i futur më pas në sallë kryeministrin pa njoftuar më parë.

Ky kurth i rektorit të UBT-së ndaj studentëve ishte skena më e mirë që Rama të tërhiqej me nder përballë studentëve duke marrë kështu fitoren e tij përballë fitores së madhe të studentëve, të cilët me protestat e tyre po i tregojnë pushtetit se nuk mund të luajë si i do qejfi dhe xhepi oligarkëve me fatet e një populli.

Rama premtoi përgjysmim të tarifave dhe gjasat janë që të mbajë premtimin sepse ndryshe do të cënonte fitoren e tij të arritur me mund përballë studentëve. /albeu.com/
Shtuar më 18/12/2018, ora 17:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori