Berisha shpall protestën e radhës, do të jetë në të njëjtën ditë me gjyqin për vulën e PD-së

Partia Demokratike ka njoftuar datën e protestës se ardhshme kombëtare.

Mësohet se më 3 mars PD-ja do të zhvillojë protestën e radhës, një datë kjo aspak rastësore. Pasi më datë 3 mars Apeli do të shqyrtojë çëhstjen për vulën e PD-së.

Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, i cili aktualisht ka edhe vulën e partisë.

Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore.

Gjykata caktoi sot datën për të shqyrtuar apelimin që Alibeaj i bëri vendimit të Agron Zhukrit që më 25 mars të vitit të shkuar, pranoi regjistrimin e statutit, logos dhe vulës së grupimit Berisha.

Kjo seancë gjyqësore do të vendosë mbi fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, si edhe do të zgjidhë përfundimisht ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ndarë kështu se cili nga kampet do të regjistrohet për zgjedhjet vendore nën siglën e PD-së. Çështja do të shqyrtohet nga Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja.

Nëse Apeli do të lërë në fuqi vendimin e Zhukrit, do të jetë Sali Berisha ai që do të marrë kontrollin e Partisë Demokratike dhe do të futet në garë me kandidatët e dalë nga procesi i primareve. Por nëse Apeli do të rrëzojë vendimin e Zhukrit, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me logon e PD-së, ndonëse ai deri më tani ka prezantuar shumë pak kandidatë dhe për Tiranën, ku do të jetë më e fortë beteja elektorale, ende nuk ka një emër.

Nëse këtë ‘betejë’ e fiton Alibeaj, për të marrë pjesë në zgjedhje Berishës do t’i duhet t’i gjejë një mënyrë tjetër për t’u futur në zgjedhje, nën siglën e partive aleate. Që do të thotë do të përsëritet skenari i zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, në të cilat Berisha u fut bashkëpunoi me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe u futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri.

/albeu.com/