Shtyhet shkarkimi i Metës, cili është plani i PS-së
Shtyhet afati i veprimtarisë së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Anëtarët e komisionit do të vendosin sot paradite përmes një mbledhjeje online se edhe sa kohë do të zgjasë mandati i komisionit.

Komisioni Hetimor për ligjshmërinë e veprimtarisë së Presidentit Ilir Meta pritet të shtyhet me 3 muaj. Komisioni Hetimor mësohet se do të presë edhe opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, i cili pritet të mbërrijë në qershor.

Kujtojmë se Komisioni Hetimor është ngritur për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe procedurës së ndjekur po nga kreu i shtetit në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë më herët u mësua se Presidenti Meta ka kthyer aktin normativ të miratuar nga qeveria për ngritjen e strukturës së posaçme OFL me argumentin se ky akt i rrëmben qartësisht kompetencat prokurorisë dhe cenon po ashtu prezumimin e pafajësisë.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka akuzuar kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin për rrëmbim kompetencash sa i takon procesit të caktimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Shtuar më 31/03/2020, ora 11:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori