Shtyhet procesi i pikëzimit për kandidatët e Kushtetueses, çfarë e shkaktoi ngërçin
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, që prishi vendimin e moslejimit të kandidimit për pedagogen e Magjistraturës, Zhaklina Peto, për një vend në Gjykatën Kushtetuese, ka krijuar ngërç në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili javën që shkoi duhet të zhvillonte mbledhjen ku do të pikëzonte 6 kandidatët për 4 vende të lira në Kushtetuese, ka vendosur ta shtyjë këtë proces në pritje të zbardhjes së vendimit të Administratives.

Burime thonë se KED është e detyruar të pezullojë procesin e përzgjedhjes së emrave që janë në garë deri në zbardhjen e plotë të këtij vendimi, pasi më parë Këshilli kishte vendosur të përjashtonte Peton nga konkurrimi, për shkak se kishte konstatuar parregullsi në deklarimin e pasurisë.

Mbledhja e fundit e Këshillit është zhvilluar në datën 9 gusht, ku u mbyll procesi i intervistimit të kandidatëve, si dhe iu kërkua Kuvendit dhe Presidencës të hapë garën për dy vende të tjera vakante.

KANDIDATËT

Këshilltarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, është një nga kandidatet e konfirmuara për të vazhduar garën për të qenë gjyqtare e kësaj Gjykate. Vorpsi ka një karrierë më shumë se 10-vjeçare si këshilltareKushtetuese, ajo është e angazhuar gjithashtu edhe në mësimdhënie.

Një tjetër këshilltare kërkon të bëhet gjyqtareGjykatën Kushtetuese, ajo është Elsa Toska. Me një karrierë prej 12 vitesh si këshilltare, Toska ka përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe ka doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmëskomisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007, punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Fiona Papajorgji është kandidatja tjetër e zgjedhur për të vazhduar garën.

Papajorgji, prej vitesh, punon si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë paralelisht ka dhënë edhe mësim në universitete private. Gjyqtarja e Tiranës, Regleta Panajoti, është një gjyqtare karriere. Që prej vitit 2000, ajo ushtron detyrën e gjyqtares dhe është konfirmuar në shkallën e parë të vetingut.

Në garë janë edhe prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi, i cili e ka nisur karrierën në vitin 2002 në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, Muçi kaloi në Policinë e Shtetit ku mbajti postin e drejtorit të Drejtorisë kundër Krimit Financiar deri në gusht të vitit 2008. Prej asaj kohe, ai ushtron detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ish-kryeinspektorja e KLD, Marsida Xhaferllari, e ka filluar karrierën si gjyqtareGjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Në periudhën dhjetor 2007 deri në shtator 2008, ajo ka punuar si këshilltare e ministrit të Drejtësisë dhe nga shtatori 2008 e deri në janar 2013, si drejtore në Drejtorinë e Kodifikimit si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë.

GJYKATA KUSHTETUESE

Gjykata Kushtetuese duhet të ketë në përbërjen e saj 9 anëtarë, nga të cilët 3 zgjidhen nga Presidenti, 3 nga Parlamenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Gjykata Kushtetuese ka vetëm një anëtar për momentin, Vitore Tushën, pas shkarkimit të anëtarëve të tjerë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rreth një vit më parë. Gjyqtarët e Kushtetueses nuk arritën të kalonin filtrin e vetingut që i hetoi ata në tri kritere. Pjesa më e madhe e gjyqtarëve ngelën në kriterin e pasurisë, por nuk munguan edhe rastet kur kishin probleme edhe me kriterin e figurës./Panorama/
Shtuar më 27/08/2019, ora 08:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori