Shtohet bilanci, 66 viktima nga tajfuni në Japoni
Shkon në 66 numri i viktimave nga tajfuni që goditi pak ditë më parë Japoninë.

Tajfuni "Hagibis", konsiderohet si një nga të fuqishmit që ka goditur në dekadat e fundit Japoninë.

Ndërkohë ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet nën rrënoja dhe baltë për njerëzit e zhdukur.

Mijëra shtëpi kanë mbetur pa furnizim me rrymë dhe ujë.

Më shumë se 200 persona kanë pësuar lëndime të ndryshme nga stuhia që solli erëra të fuqishme.

Numri më i madh i viktimave u shënua në rajonin e Fukushimës, në veri të Tokios, ku 25 persona e humbën jetën. Në mesin e personave të vdekur janë edhe një grua me fëmijën e saj, të cilët u mbytën në ujin e vërshimeve. Fëmija tjetër i kësaj gruaje është zhdukur.

Dëme kanë raportuar edhe kompanitë e mëdha japoneze. Kompania për prodhimin e pajisjeve elektronike, Panasonic, tha se vërshimet ia kanë dëmtuar fabrikën në një park të madh industrial, transmeton Reuters.

“Lumi asnjëherë nuk ka shkaktuar vërshime të tilla më parë. Disa shtëpi janë zhdukur plotësisht. Mendoj se hartat e rrezikut duhet të hartohen përsëri dhe të ketë plane të reja për evakuim”, tha Masaharu Ishizaëa, mësues 26 vjeç, i cili po e pastronte shtëpinë nga uji dhe mbetjet e vërshimeve.

“Nuk kemi parë dëme të këtilla kurrë më parë. Ndoshta ngrohja globale dhe ndryshimet në mjedis kanë ndikuar diç në tërë këtë”, shtoi i riu japonez.


Shtuar më 15/10/2019, ora 10:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori