Shteti në këmbë, mbërrijnë autobusët e parë me grek për varrimin e Kacifas (VIDEO)
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në Kakavijë kanë mbërritur edhe shtetasit e parë grek të cilët duan të marrin pjesë në varrimin e Kostandinos Kacifas.

Kujtojmë se Kacifas u neutralizua pas një shkëmbimi zjarri me RENEA-n në fshatin Bularat, 10 ditë më parë, ndërsa sot në orën 1:00 të pasdites do të bëhet varrimi i tij.

Ndërkohë duke u referuar mediave greke rreth 2 000 grek pritet të vijnë në ceremoninë e varrimit të grekut që terrorizoi Gjirokastrën.

Autobusi i parë nga Athina mbërriti rreth orës 5.30. Në pikën kufitare të Kakavijës ka pasur procedura të shtuara sigurie, me forca të shumta policore, skanim i autobusit dhe kontroll fizik i pasagjerëve.

“Kemi ardhur nga Athina për të qenë në varrim. Nuk e kemi familje heroin por ishte shumë e rëndësishme për ne ta nderojmë.Në kufi nuk ishte e vështirë të kalonim”, shprehet njëri prej pasagjerëve të autobusit grek.

Ndërkohë një tjetër thotë: “Unë jam nga Athina, sapo mbërritëm për ceremoninë e varrimit. Jam këtu për të nderuar heroin tim, heroin tonë. Shumë të tjerë janë pas nesh, nuk e di saktë numrin e atyre që po vijnë, por janë shumë”

Në të dyja anët e kufirit ka numër të dyfishuar sportelesh, gjtihashtu masat e sigurisë përfshijnë përveç kontrolleve edhe skanimin e të gjithë autobusëve dhe mjeteve që po hyjnë në Shqipëri për ceremoninë mortore.

Autobusat jane nisur nga qyteti i Selanikut , Volosit , Athinës , Patras dhe Janinës. /albeu.com/
Shtuar më 08/11/2018, ora 08:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori