Non-grata nga Britania, Berisha: Janë bazuar në shpifje, çfarë më shkruajnë autoritetet

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të enjte në një intervistë televizive se disponon shkresën e autoriteteve britanike lidhur me sanksionin sipas tij të bazuar në shpifje dhe se do t’i bëjë ato publike shumë shpejt.

Berisha u shpreh se në shkresë thuhet se non grata nuk mund të hiqet për shkak se bie reputacioni i institucioneve britanike.

“Çështja shkon deri aty sa thuhet nuk ia heqim dot se na bie reputacioni. Komunikimi me qeverinë britanike është transparent, ka një sistem serioz transparence. E thotë shkresa: “Të mos ia heqim se na bie reputacioni”. I kam të gjitha dokumentet, do t’ua paraqes shqiptarëve. Ata janë transparentë, janë shtet ligjor. Unë i kam të gjitha, do t’i bëj publike. E lash se ishte fushata, por do t’i bëj publike”, tha ish-kryeministri në “Çim Peka Live”.

Berisha tha gjithashtu se ambasadori britanik ka shkuar në institucionet shqiptare për të kërkuar dokumente për të.

“Autoritetet Britanike me shumë korrektesë kanë dorëzuar dokumentet e servirura nga Alastair dhe Dunkan, dokumente të cilat përbëjnë një turp të vërtetë. Dua të informoj shqiptarët, ambasadori shkon institucion më institucion dhe iu lutet që t’i japin dokumente për mua se na ka hedhur në gjyq Berisha, duke shkelur në mënyrë flagrante kodin e vendit që përfaqëson. Përpiqet të gjejë dëshmitarë të rremë shqiptarë apo të huaj, por me këto sukses nuk do të ketë. Procesi në Britani është më i zhdërvjellët, unë kam besim te sistemi i drejtësisë në SHBA. Për të shkuar në gjykatë duhet të kalosh në kanalin administrativ ligjor të përcaktuar me ligj. Do shihet se në çfarë bataku e kanë zhytur ambasadorin britanik Rama, Veliaj, Basha, pastaj detyrohesh të shkosh ministri më ministri këtu për të gjetur argumente për shpifjen që ka bërë. Këto do marrin përgjigjen e duhur”, tha Berisha.


Shtuar 25.05.2023 23:29