Zhdukja e dy personave në Sarandë, arrestohet 28-vjeçari, dyshohet se di emrat e të përfshirëve në ngjarje

Polica e Sarandës ka arrestuar një 28-vjeçar me iniciale S.B., ndaj cilit është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet  se ka dijeni mbi emrat që fshihen pas zhdukjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

Informacionet e policisë në lidhje me ngjarjen janë të pakta, megjithatë mësohet se 28-vjeçari dyshohet se u ka dhënë me qira autorëve të zhdukjes së Leonard Thodhori e Fatmir Sulovarit dhe vendosjes së eksplozivit tek banesa e Lefter Lefterit alias Afëz Kulla, një banesë e garazh në fshatin Nivicë të Bashkisë Himarë, nga ku ka edhe origjinën prindërore.

28-vjeçari mësohet se ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore dhe nuk është treguar bashkëpunues me ta lidhur me emrat e personave të cilëve u ka vënë në dispozicion mjedisin. Pikërisht në pronën e S. B, policia ka gjetur automjetin tip “Mercedes-Benz” E Class që dyshohet se është përdorur për rrëmbimin e dy 46- vjeçarëve, por edhe të vendosjes së eksplozivit të banesa e Lefter Lefterit në dhjetor 2022. Edhe pse këto dy ngjarje nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, policia dyshon se janë kryer nga të njëjtët autorë.

Burime bëjnë me dije se S. B rezulton lidhje shoqërore e mjedisit të personave të dyshuar për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve por çuditshëm rezulton edhe lidhje shoqërore e djalit të Lefter Lefterit.

Ndërkohe ditën e djeshme policia e Sarandës ka kryer disa kontrolle banesash, përfshirë edhe zyrtarëve apo ish-zyrtarë. Burime konfidenciale bëjnë me dije se kontrollet janë kryer për çështje tokash por nuk dihet nëse është një procedim i veçuar apo hetimi për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve ka nxjerrë në skenë ngjarje të tjera në Sarandë.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga një 28-vjeçar, si person i dyshuar se ka dijeni në lidhje me ngjarjen. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, të kryera nga grupi i posaçëm i DVP Vlorë dhe i Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, në lidhje me kallëzimin e familjarëve të shtetasve L. Th. dhe F. S., për humbjen e kontakteve me këta shtetas, që prej datës 06.04.2023, është arrestuar shtetasi:

S. B., 28 vjeç, banues në Sarandë.

Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Vijojnë hetimet e thelluara, në drejtimin e Prokurorisë, për sigurimin e provave, me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e shtetasve L. Th. dhe F. S.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, për gjetjen e shtetasve L. Th. dhe F. S.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.