"Shqipërisë s'doja t'ia degjoja emrin", Parid Turdiu rrëfen natën kur motrën e thirrën në bodrumin e Ministrisë së Brendshme
Një fejesë mes dy të rinjve të dashuruar duhet të ishte gëzim, shpresë për trashëgim dhe vijim i jetës, por mori shumë jetë, në plumba, burgje, në vëtëflijime, internime apo denigrime.

Gjithçka e gatuar në zemrën e pushtetit, në botën e errët të ish-Bllokut, ku kulisat, lufta për pushtet, apo edhe krijimi i armiqve edhe atëherë kur nuk ekzistonin, ishin formë për të mbijetuar një regjim i egër, që në vendin tonë pati jo pak por 4.5 dekada.

E tillë ishte edhe tragjedia e familjes së Mehmet Shehut, familjes së tij, por edhe një familje intelektuale me emër në Tiranë, e cila e pësoi nga një fejesë e “prishur” me urdhër partie. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se bëhet fjalë për fejesën e Silva Turdiut me Skënder Shehun, djalin e Mehmet Shehut, ish-kryeministër i kohës. Kur flasim për kohë, është fillimvjeshtë e vitit 1981…

Volejbolistja e ekipit të Dinamos (student e ekonomikut) Silva Turdiu, krijoi lidhje me Skënder Shehun, djalin e kryeministrit, por gëzimi i kthye në tragjedi dhe më pas tragjedia e momentit në një dramë, që zgjati dhe ndoshta zgjat edhe pas rënies së sistemit komunist, (zyrtarisht në vitin 1992)…

Shumë është shkruar, shumë është lexuar për këtë ngjarje, por janë raste të pakëta që vetë dëshimtarët, ata që e ndjenë në lëkurë dhe shpirt këtë trill të gatuar në mendjen e diktatorit Enver Hoxha dhe e vënë në zbatim me zell nga apartçinjtë e sistemit, të tregojnë për ngjarjen. Parid Turdiu, i biri i profesorit të njohur Qazim Turdiu dhe vëllai i Silva Turdiut në një intervistë të dhënë për grupin mediatic “Fjala”, kujton atë periudhë.

Jeta në sistemin kominist, si ndaheshin elitat, tentativa për integrim, denigrimi apo burgosja dhe internimi për të mbijetuar një regjim dhe një elitë drejtuesish që edhe në atë “rrethim të vogël” ku jetonin shihnin në imagjinatë “armiq të mëdhenj”.

Dhe ndodh që hijet e së shkuarës të rikthehen edhe sot, ku Parid Turdiu jeton prej tre dekadash në vendin e lirisë, SHBA. Një qëndrim për Ilir Hoxhën djalin e diktatorit Enver Hoxha e ktheu Turdiun pas në kohë, në një natë të errët të vitit 1981, kur sipas dëshmisë së motrës 20-vjeçare Silva, ajo u shkëmbye me djalin e diktatorit në korridoret e Sigurimit të Shtetit…

Për prishjen e fejesës mes Skënder Shehut dhe Silva Turdiut u gjet një shkak, pasi nëna e Silvës kishte djalë xhaxhai Arshi Pipën, shkrimtarin, publicistin, gjuhëtarin dhe kundërshtarin e regjimit komunist, i arratisur në SHBA në vitin 1957. Kaq mjaftoi që Enver Hoxha të niste trillin dhe të zhdukte një nga bashkëpunëtorët e tij të hershëm të luftës, por edhe të pushtetit në vijim Mehmet Shehu.

Denigrimi para Byrosë Politike i Shehut ishte edhe fundi i këtij të fundit, që vrau veten, e vranë, apo “e vetëvranë”, pikërisht sepse i dinte pasojat. La edhe një shënim ku kërkonte që familja të mos i prekej, por pikërisht u bë e kundërta. Familja Shehu njohu vetëm tragjedi me vdekje në burgje, vëtëflijime dhe burgje të gjata. Po jo pa pasoja doli edhe familja Turdiu, tashmë me “damkë”, por edhe denigrimi, përçmimi dhe largimi i njerëzve të afërm ishte një dënim po aq i randë sa vetë burgu.

Rrëfimi i Parid Turdiut tregon edhe më shumë nga tmerri i regjimit… ndonëse koha ka shkuar dhe ai veç vuajtjeve dhe përjetimeve në Shqipëri tregon edhe për komunitetin shqiptar në SHBA, angazhimet e tyre por edhe nga anojnë “politikisht” në zgjedhjet presidenciale. Për një rikthim në Shqipëri Parid Turdiu ka zgjedhur shprehjen: never say never…

Zoti Turdiu, ju keni 30 vjet në SHBA. A keni arritur në këto 30 vite atë që synuat dhe ëndërruat kur mbërritët për herë të parë atje?

Pjesërisht. Tre më të rëndësishmet i kam arritur: Lirinë personale, pavarësinë ekonomike dhe vetëbesimin.

Si do ti krahasonit këto 30 vjet në SHBA me jetën që keni bërë në Shqipëri?

Si jeta e embrionit të zogut brenda levozhgës me jetën e zogut që fluturon i lirë.

Ju keni ardhur në Shqipëri për vizita në këto 30 vjet. Si u është dukur Shqipëria me atë që keni parë vetë, jo me atë që ju keni lexuar dhe u kanë thënë të tjerët?

Pati një ngazëllim të dukshëm rreth viteve 2010, tani depresion.

A jeni dakord që këto 30 vite janë më të mirat për shqiptarët që nga themelimi i shtetit shqiptar?

Ndoshta, nga pikepamja e jetes materiale.

Shoqëria shqiptare aktualisht përbëhet nga tre breza. Ata të rinjtë që kanë lindur pas vitit 1990 dhe nuk e kanë njohur komunizmin. 50-60 vjeçarët që lindën në komunizëm dhe gjysmën e jetës e kaluan në ata sistem dhe gjysmë në demokraci si dhe ata 70-80 vjeç që pjesën më të madhe të jetës e kaluan në komunizëm dhe tashmë jetojnë prej 30 vjetësh në demokraci. A pasqyrohet realisht jeta në Shqipëri me këta tre breza që kemi?

Besoj se me i spikaturi nga pikepamja e vlerave ishte “brezi i pavarësisë” , i prindërve të mij: romantik, ëndërrimtar, iluministë, idealistë, – ëndrra të mëdha, krime ngjethëse. Çdo brez ka gjërat e veta. Brezi im ishte tranzicioni, llastiku. Ne e bëmë kapërcimin nga stalinizmi në globalizëm.

Rishpikëm vehten. Braktisëm vendin, të dashurit, gjithçka që njihnim, u përkulëm po nuk u thyem, u përshtatëm, mbijetuam, – duke u kaluar më të rinjve liri dhe begati, por edhe konfuzion vlerash e identiteti. Thonë se mund të kuptosh mirë vetëm brezin tënd. Ne i vumë zemrës një gur të madh dhe ecëm.

Fakti është se nga viti 1990 deri më sot janë larguar nga Shqipëria 1 milionë e 200 mijë banorë. A jeni dakord me një pjesë e atyre që thonë se nga Shqipëria është larguar ajka e intelektualëve dhe tashmë nuk ka mbetur një klasë e mirëfilltë intelektualësh?

Dihet që ” the brain drain”, rrjedhja e trurit, nga periferia e botës në qendrën e botës, e varfëron intelektualisht periferinë. Shoh njerëzit që njoh: përgjithësisht nuk kanë ikur të pamundurit, apo një pakicë e vogël e privilegjuar.

Shqipëria vuajti 46 vjet nën sistemin komunist. Përpos të tjerave a është faktor populli shqiptar që lejoi dhe nuk kundërshtoi instalimin e regjimit diktatorial komunist?

Montanelli e ka quajtur Shqipërinë parakomse “Albania mille e una”, – pra kishte një mijë lloje shqiptarësh. Një pjesë e shqiptarëve e kundërshtuan komunizmin, por humbën luftën, për arsye të brendshme dhe të jashtme dhe u asgjësuan. Shqipëria nuk duhej ta kishte zgjatur aq shumë stalinizmin, por ishte dhe ngelet dominoja e fundit, në të gjitha drejtimet, para dhe pas komunizmit. Është lloji i vendit. Vendet nuk ndryshojnë. Dikush do jetë i fundit, apo jo? Për më tepër Enveri vrau njerëzit e gabuar.

A kishte desitentë Shqipëria? Si ka mundësi që në një vend që sot numri i të persekutuarëve rezulton shumë i madh, në fakt nuk pati asnjë përpjekje serioze që të kundërshtohej ai sistem, madje edhe të eleminohej Enver Hoxha?

Numri i të përsekutuarve mbahej, me plan, aq sa mund të kontrollohej. Nuk ishte i lartë, por i shumëtrumbetuar që të tmerroheshin të tjerët. I lartë ishte numri i të ngacmuarve, por jo direkt të persekutuar. Janë dy gjëra të ndryshme: nje puç pallati që eliminon kreun për ta zevendësuar me një tjetër, – Enveri ishte tepër i shkathët për të mos u ruajtur; – me një kryengritje për të rrëzuar regjimin.

Deri në ndërprerjen e ndihmës kineze (1978) jetesa e shumicës së popullit erdhi duke u përmirësuar (nisur nga një bazë afër zeros). Kryengritja kërkon një shumicë njerëzish; ndodhi me 1990-92. Disidentë individualë kishte, të pashpallur, se shpallja presupozon një gradë lirie fjale. Në ambientin ku qarkulloja unë ishte qesharake të ndjeje dashuri për partinë, bile edhe ndër bijtë e nomenklaturës. (Dashuria ishte për privilegjet.) Por ata ishin “ajka”. Ajkën regjimi e mbante të survejuar, tejet të trembur.

A ka arritur Shqipëria sot ato që duhet të kishte arritur pas 30 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit?

Nga pikeveshtrimi im, jo. (Nga katundaria, nuk e di.) Bile mua më zhgënjen që janë braktisur disa virtyte të imponuara nga komunizmi, aspekti pozitiv i tij: serioziteti, disiplina, solidariteti, sovraniteti. Të paktën ato të ishin ruajtur, se më duket që paskemi vuajtur kot. Në komunizëm katundaria mbahej e segreguar. Tani ka shpërthyer nga zinxhirët dhe e ka kthyer vendin në banditizmin e tribalizmin parakomunist, por pa fisnikerinë që i përmbante.

Si ju duken politikanët shqiptarë? Dikur kishte një gjykim sipas të cilit liderët kryesorë, qeveritarët, pushtetarët në Shqipëri ishin të ardhur në Tiranë. Ndërkohë aktualisht, si lideri i qeverisë dhe ai i opozitës janë të lindur në Tiranë. Madje edhe qeveria e parë e Edi Ramës, nga 14 ministra, 10 kishin lindur në Tiranë. E megjithatë Shqipërinë nuk e rregulluan dot as tiransit. Çduhet thënë për këtë paragjykim dhe gjykim?

Ahhaa, lindja në Tiranë të bën jo cinik e lekist? Së shpejti gjysma e shqiptarëve do kenë lindur në Tiranë. Është thënë, jo pa të drejtë, se nuk e kanë fajin njerëzit por sistemi. Njeriu i zakonshem i përshtatet sistemit; ndjek shtegun me rezistencë më të vogël. Prindërit e tyre merrnin pjese në krimet e partisë, se ashtu ishte sistemi. Këta marrin pjesë në korrupsion. Me tha dikush qe e njoh, për një nga krerët kryesorë “e filloi si idealist, për të bërë gjëra të mira; pastaj pa të tjerët që vidhnin pa pasoja, pse jo edhe ai…”

Ju dhe familja juaj ka qenë e vuajtur e atij sistemi. Edhe pse jeni larguar nga Shqipëria, ju dhe motra juaj ende kujtoheni në Tiranë si qytetarë të mirë, të formuar shumë mirë por edhe një familje që ndikohej shumë edhe nga autoriteti dhe niveli intelektual i babait tuaj, Qazim Turdiu. A e keni urryer ndonjëherë vendin tuaj për ato vuajtje që ju shkaktoi?

Kur dola me 1990 për disa vjet nuk doja t’ia degjoja emrin; pastaj më kaloi.

Në një nga statuset tuaja ju keni përshkruar natën kur motra juaj u thirr në hetuesi dhe është shkëmbyer atje me djalin e Enver Hoxhës, Ilir Hoxha. Përse jeni i bindur që ajo që i ndodhi motrës suaj ishte inskenuar nga djali i Enver Hoxhës?

Kur u kthye atë natë më tha se u shkëmbye me Ilir Hoxhën, në mes të natës, në bodrumet e MBP (shënim: Ministrisë së Punëve të Brendshme). Pse e thërrasin natën, vajzën 20 vjeçe? Për ta tmerruar. Si i vjen Ilirit t’i marrë Kim Jong Uni fëmijën 20 vejç në hetuesi në mes të natës?

Shkoi me babin. Me dhimbset babi, jashtezakonisht, tani që unë kam të njëjtën moshë dhe e kuptoj. Ne ishim të rinj, nuk e enteronim rrezikun, për momentin; na duket vetja të pathyeshëm dhe situata një gomarllek i madh. Vinte Torez Çiraku të dera, hajdeni në MPB në mes të natës, ëtf?

A mund të na tregoni hollësisht kalvarin e vuajtjeve që kaloi familja juaj pas asaj që ndodhi?

Jo, se është muhabet i gjatë dhe i pakëndshëm.

Ju jeni mjaft aktiv në rrjetet sociale. Mund t’ju quaj kampionin, jo vetëm i numrit të statusve që publikoni por dhe të cilësisë së statusve. Si e gjeni kohën për të qenë kaq aktiv?

Mbaj celularin në xhep. Kur jam bosh, psh në ashensor, shoh celularin. Më është bërë ves. Lexoj diçka dhe me lind një mendim. Kur shkoj te makina, para se ta ndez, shkruaj një status. Jam njeri me shpejtësi të lartë.

Komuniteti i shqiptarëve të Amerikës është i ndarë në tre breza. Ata më të vjetrit që janë para luftës dhe pas luftës së Dytë Botërore. Ata të pas luftës deri në vitin 1990 dhe ai pas viteve 1990. Përse nuk është arritur një unifikim i të tre brezave të emigrantëve?

Duhet të të bashkojë diçka e veçantë, e madhe. U bashkuam për të mbështetur luftën e Kosovës. Bëjmë jetë amerikane. Pse do u biem pas shqiptarëve, kur jemi mes amerikanëve?

Ka nisur një debat edhe mes shqiptarëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Nga anon vota e komunitetit shqiptar dhe a ndikon ky komuniteti sado pak në zgjedhje?

Jo, nuk ndikon. Për presidentin votohet me shtete. Shqiptarët janë të përqëndruar në verilindje, ku shtetet janë demokrate të sigurta. Vota e shqiptaro-amerikanëve i ngjan votës së amerikanëve të tjerë të bardhe: ata me shkollë të lartë do votojnë pergjithësisht për Biden; ata pa shkollë për Trump. Racizmi është i përhapur të bardhet pa shkollë të lartë, se ndjehen vulnerabel dhe kërkojnë mbrojtjen ekstra të ngjyrës së lekurës.

A keni menduar ndonjëherë që një ditë mund të jetonit Shqipëri?

Never say never.
Shtuar më 15/08/2020, ora 10:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori