Shqipëria sukses ekonomik në 2011
Shqipëria ka shënuar një sukses ekonomik në dy muajt e parë të 2011-ës, në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, ka deklaruar kryeministri Sali Berisha.Në mbledhjen e qeverisë ai theksoi se eksportet janë rritur me 152 përqind dhe se industria është zëri kryesor që ka çuar në këtë sukses.

“Të ardhurat buxhetore dy muajt e parë të këtij viti janë 10-13% më të mëdha se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Është një lajm pozitiv që garanton përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe premtimeve të dhëna. Në mënyrë të posaçme rritjen e rrogave dhe pensioneve që ka ndikim direkt në buxhetin e 800 mijë shqiptarëve. Tejkalimi dyshifrorë i të ardhurave, në krahasim me vitin e kaluar, është dëshmi e rritjes ekonomike të këtij vendi”, tha Berisha.

“Prodhimi shqiptar i eksportuar është rritur në tonë nga 232 në 424 mijë dhe në vlerë nga 7.9 në 20 miliardë lekë në dy muajt e parë të këtij viti në krahasim me dy muajt e parë të vitit të shkuar. Është një rritje prej 152%, rritja më e madhe e shënuar ndonjëherë”, deklaroi ai.

Eksportet ‘Made in Albania’ janë sot me një rritje të shumfishtë krahasuar me eksportet me materiale importi. Nga ana tjetër Shqipëria do të jetë i vetmi vend që në harkun kohor dy vjeçar mbidyfishon eksportet e vendit. Struktura e eksporteve është Shqipëria industriale, është çeliku, giza dhe prodhime të tjera, teksitle, këpucë, pajisje makinerish. Janë këto tregues të progresit industrial që po tregon vendi. Është dëshmi e një rritjeje të punësimit të qytetarëve shqiptarë”, theksoi Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 02/03/2011, ora 11:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori