Shqipëria, e fundit në Evropë për shpenzimet e ulëta për shëndetësinë
Në këto kohë të COVID-19, është interesante të dini se sa po shpenzohen për kujdesin shëndetësor, tërheq vëmendjen Eurostat në një botim të fundit ku tregon se sa shpenzojnë shtetet në Europë nga PBB-ja e tyre për shëndetësisë.

Nga të dhënat shihet se, Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, madje me një diferencë shumë të madhe edhe nga vendi i parafundit. Në vitin 2018, Shqipëria akordoi 2.9% të PBB-së si fonde për shëndetësinë. Të dhënat tregojnë se Shqipëria shpenzon një të katërtën e mesatares europiane për këtë sektor.

Dobësitë e vendit tonë lidhen me rendimentin e dobët në grumbullimin e të ardhurave në raport me PBB-në.

Sipas të dhënave të Eurostat, vendet e BE-së vitin e kaluar grumbulluan mesatarisht 41.1% të ardhura të PBB-së, ndërsa Shqipëria grumbulloi të ardhura vetëm 27.4% të PBB-së së saj. Shqipëria hyn në grupin e vendeve europiane si Kosova dhe Rumania që e kanë të ulët rendimentin fiskal, për shkak të dobësive në grumbullimin e të ardhurave dhe nivelit të lartë të informalitetit. Për më tepër, Shqipëria i përkeqësoi rezultatet më 2019, pasi të ardhurat në raport me PBB shënuan rënie me 0.2 pikë përqindje.

Për shkak të rezultateve të dobëta fiskale, Shqipëria ofron mbështetjen më të ulët buxhetore në raport me PBB për të gjithë sektorët, duke përfshirë edhe ata prioritarë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, siguria publike etj.

Mesatarisht në BE, shpenzimet e kujdesit shëndetësor arritën në 9.9% të PBB-së në 2018. Midis Shteteve Anëtare të BE, pjesët më të mëdha u regjistruan në Gjermani (11.5% të PBB) dhe Francë (11.3%), ndjekur nga Suedia (10.9%) .

Në të kundërt, pjesa më e ulët e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor u regjistruan në Luksemburg (5.3% të PBB), Rumani (5.6%) dhe Shqipëri me 2.9% Lidhur me madhësinë e popullsisë, shpenzimet e kujdesit shëndetësor ishin më të larta në mesin e Shteteve Anëtare të BE-së në Danimarkë, Luksemburg dhe më të ulëtat në Rumani, Bullgari dhe në Shqipëri.

Në rajon, shpenzimet më të larta për sektorin e shëndetësisë i ka Bosnja, e cila akordoi vitin e kaluar 8.8% të PBB-së. Bosnja ka shpenzime më të larta të PBB për të gjithë sektorët në raport me shtetet e tjera të rajonit, pasi mbledh më shumë të ardhura në raport me PBB-në e saj, me rreth 43%./monitor/e
Shtuar më 03/12/2020, ora 08:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori