Thaçi-Rama nga Kukësi: Sot na udhëheq paqja (FOTO-LAJM)

Update- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehu sot mirënjohje për homologun e tij Edi Rama dhe autoritetet shqiptare për ceremoninë e organizuar në përkujtim të 15-vjetorit të eksodit kosovar.

Duke folur në konferencën “Nga eksodi te partneriteti strategjik”, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se ky përvjetor është dita për të theksuar me më tepër forcë bindjen se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte e drejtë dhe legjitime.

“Politikat gjenocidale ndaj popullit tonë ishin krime kundër mbarë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse e gjithë bota na ka mbështetur. Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë me bindje se lufta jonë ishte e drejtë dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë. Sot i jam mirënjohës kryeministrit Rama që ka bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton”- deklaroi Thaçi.

Ndërsa kryeministri Edi Rama në fjalën e tij theksoi se sot pas 15 vitesh gjithçka është ndryshe dhe kjo falë një luftë të drejtë.

“Kur e sheh me sytë e sotëm të shkuarën e 15 viteve më parë duket sikur ka kaluar një jetë e tërë. Në një anë të kufirit, një vend shumë i brishtë i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit ‘97 me një qeveri në krye të së cilës ishte një djalë 30 vjec që dhe zëvëndësine kishte 30 vjec dhe nga ana tjetër e kufirit në errësirën e një diktature gjithnjë e më barbare, një përpjekje e zgjatur e zgjatur në kohë e sakrifica që shtrihej nga ekzistenca e Ibrahim Rugovës që shtrihej në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nga ana tjetër ushtria vrasëse e Milloshevic dhe nga ana tjetër aleanca e madhe që iu bashkua krah për krah shqiptarëve, por gjithnjë në kushtet kur fundi nuk dihej. Dhe ajo që bën që shqiptarët e zakonshëm dhe që bën që një qeveri shqiptare në një vend të ri tërësisht të brishtë garantoi që aleanca e madhe të shkonte përpara pa frikën e lëkundjeve të opinionit publik në Europë. Kryeministrit Thaci foli për prapavijën e Shqipërisë dhe për kë e kujton atë kohë kujton që pa ata prapavijë dhe sinergji të pazakontë do të ishte e pamundur të shkoje përpara ku e gjithë aleanca të shkoje para falë asaj prapavije që shkoi Shqipëria, falë lidershipit të z Majko” tha Rama.

11:39- Në kujtim të 15-vjetorit të eksodit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, qeveria e Shqiperise dhe ajo e Kosoves jane mbledhur sot bashke në Kukes. Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Hashim Thaci kanë ecur së bashku drejt sheshit përpara Pallatit të Kulturës së Kukësit, për të nisur kështu ceremoninë zyrtare.

Ministri i Jashtem, Ditmir Bushati ka hapur me nje fjale pershendetese takimin ne Kukes.

“Ne jemi sot këtu sëbashku për të konfirmuar vlerat tona evropiane, për të shprehur mirënjohjen SHBA NATO e BE që falë ndëhyrjeve të sinkronizuara ndalen dhunën dhe genocidin serb. Pas 15 vitesh arritëm të jetësonim vullnetin e shumë brezave për ti dhënë udhë projekteve të përbashkëta”, - tha Bushati në nisje.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj theksoi se takimi i sotëm flet për vetëdijen historike të shqiptarëve.

“Është mënyra më e mirë për të treguar se sa rrugë të gjatë, të dhimbshme dhe sa sakrifica kemi bërë për të arritur aspiratën tonë për të qenë të lirë dhe të pavarur.p Për Republikën e Kosovës Shqipëria është partneri i saj më i natyrshëm, ndërsa për Shqipërinë mendoj se Kosova do duhet të jetë partneri më strategjik i saj.”- deklaroi Hoxhaj.

Gjatë këtij eksodi 1 milion shqiptarë u detyruan të linin shtëpitë nga dhuna dhe gjenocidi serb. /albeu.com/
Shtuar më 16/04/2014, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori