Shqipëria dhe dokumentet sekrete të Wikileaks
Pëlqej
Sekretet diplomatike të Amerikës vijojnë të trondisin botën, ndërsa në vorbullën gjigante të informacioneve të publikuara nga ”Wikileaks” është përfshirë edhe Shqipëria. Në më shumë se 250 mijë korrespondenca diplomatike të Departamentit Amerikan të Shtetit me përfaqësitë diplomatike në 270 vende të botës, bëhet e ditur se janë zbuluar 452 korrespondenca nga Ambasada Amerikane në Tiranë me Washingtonin, të cilat datojnë nga viti 1997 e deri pak muaj më parë.

Nga ana tjetër, emri i Shqipërisë ose problematika rreth saj përmendet në një total prej 822 dokumentesh të veçanta. Korrespondenca përfshin dy vitet e fundit, kryesisht çështje të sigurisë së Brendshme të Shqipërisë, politikës rajonale dhe të jashtme të Shqipërisë, si edhe për çështje të veçanta të një rëndësie strategjike, që kanë përfshirë vendin tonë në dy vitet e fundit.

Konfirmohet se diplomatët amerikanë kanë hyrë në kontakt lidhur me disa dokumente që përfshijnë periudhën nga viti 2006 deri më 2009 dhe konkretisht lidhen me çështjen e NATO-s marrëdhëniet me Shqipërinë si dhe marrëdheniet me Greqinë-Qipron e nga ana tjetër edhe çështje të marrëdhënieve shqiptaro-turke ajo e emrit të Maqedonisë dhe të tjera. Detaje të tjera nuk bëhen të ditura.

Mendohet se autoritetet e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë marrë kontakte me krerët më të lartë të shtetit shqiptar për të dhënë “orientime” lidhur me valencën e këtyre informacioneve që përfshijnë Shqipërinë, njësoj siç kanë vepruar gjatë këtyre dy ditëve edhe me qeveritë dhe institucionet e shteteve të tjera, si Franca, Turqia Italia, Gjermania etj.

Në lidhje me Shqipërinë, korrespondencat e dala në dritë përfshijnë informacione sidomos për situatën politike në Shqipëri dhe rolin apo tendencat e politikës shqiptare në kontekstin rajonal.


Në këto korrespondenca përfshihen të dhëna përsa i takon çështjeve energjetike të Shqipërisë, çështjeve të sigurisë në kontekstin e bashkëpunimit me NATO-n si dhe të dhëna lidhur me sjelljen e krerëve kryesorë politikë në Tiranë.


Nga ana tjetër, Greqia si një vend i prekur nga kjo rrjedhje informacioni, ka lënë të kuptohet se në telegramet mes Ambasadës Amerikane në Athinë dhe Departamentit Amerikan të Shtetit mund të gjenden të dhëna të cilat kanë lidhje me marrëveshjen e ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë, rolit dhe kontrollit grek mbi ekonominë shqiptare si dhe financimet që Greqia u bën krerëve lokalë politikë në Shqipëri.


Megjithatë, këto mbeten informacione ende të pakonfirmuara plotësisht. Shqipëria mendohet se mund të përmendet edhe në telegramet e Ambasadës Amerikane në Turqi, në lidhje me të njëjtat çështje, e sidomos sa i takon marrëveshjes së ujërave, ku besohet se Turqia ka qenë shumë e interesuar për mosrealizimin e saj.

Gjithashtu besohet se bjekt i çështjeve ku përmendet Shqipëria është edhe ajo e gazsjellësve, ku Shtetet e Bashkuara janë direkt të interesuara. Dokumenti i parë nga 822 dokumente që përmbajnë termin Shqipëri është publikuar dje nga Wikileaks, ndonëse ende nuk janë publikuar dokumentet që kanë rëndësi të veçantë për vendin tonë. Sipas Wikileaks, 542 dokumente vijnë nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që flasin në mënyrë të veçantë për vendin tonë, 9 prej të cilave janë sekrete dhe 142 janë konfidenciale.

Deri tani Wikileaks ka publikuar vetëm 243 nga 251.287 dokumente që ka në dispozicion. Dokumenti i parë ka të bëjë me një takim të zhvilluar më 16 janar 2008 në Paris, ndërmjet Xhozef Ud, nënndihmësi i Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara për Çështje të Sigurisë Kombëtare dhe Filip Erreras, këshilltar i çështjeve strategjike i ministrit të Jashtëm francez, Kushner. Dokumenti që do të deklasifikohej më 16 janar 2018, flet ndër të tjera edhe rreth anëtarësimit të vendeve të Adriatik 3 që do të ndodhte një vit më vonë.

Në dokument thuhet se “Errera tha se Franca është dakord në parim për secilin nga kandidatët e Adriatik 3. Në mënyrë të veçantë, Franca “nuk ka probleme” me anëtarësimin e Kroacisë. Megjithatë, Errera tha se Shqipëria duket se e ka marrë anëtarësimin si të sigurt dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të “pastruar” çështjet e korrupsionit.
Shtuar më 30/11/2010, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori