Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët e qeverive më 11 janar
Dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të mblidhen më 11 janar në një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit. Data konfirmohet nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ku ai thekson se në këtë mbledhje do të merren vendime të rëndësishme.

“Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren! Në mbledhjen e parë do te marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri!”- shkruan Thaçi.

Edhe kryeministri Edi Rama bëri të ditur pak ditë më parë se në këtë mbledhje, pritet të diskutohet edhe për akordimin e një fondi të përbashkët për Luginën e Preshevës, për ngritjen e një materniteti në këtë zonë.

Në fakt, kjo mbledhje ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, madje kjo do të ishte edhe një simbolikë më rastin e Festës së Flamurit. Por shtyrja e mbledhjes erdhi pas zgjedhjeve vendore në Kosovë. Takimi i përbashkët i dy qeverive është hedhur si ide që në fillim të marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, madje në vizitën e tij të parë në Kosovë me anëtarë të kabinetit të tij.

E njëjta gjë pritet të ndodhë më vonë edhe me qeverinë turke, shtet i cili tashmë ka marrë pozitën e partnerit strategjik për Shqipërinë.

Me fondin që pritet të akordohet për Luginën e Preshevës në këtë mbledhje të parë të dy qeverive shqiptare pritet të ndërtohet edhe një shkollë atje. Ky është një nga premtimet e fushatës së zgjedhjeve të 2013 nga ana e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Fondi, që është i pari që qeveritë shqiptare japin për Luginën e Preshevës, është mirëpritur me reagime entuziaste nga drejtuesit lokalë të Preshevës. Ai është konsideruar prej tyre i vonuar, por i mirëseardhur, duke kërkuar që të jetë i rregullt. /albeu.com/
Shtuar më 06/01/2014, ora 12:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori