Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për një treg të përbashkët energjitik
Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Damian Gjiknuri dhe ministri kosovar për Zhvillimin Ekonomik, Fadil Ismajli nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për një treg të përbashkët energjitik.


Marrëveshja ritet të kurorëzohet me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kW, një projekt i mbështetur nga banka gjermane kWf.

Në një deklaratë për mediat, ministri Gjiknuri tha se linja do të përbëjë shtyllën kurrizore energjitike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë qëndrueshmëri në furnizimin me energji, e pasuar kjo dhe me qëndrueshmëri në çmim.


“Jam i sigurt se integrimi i të dyja vendeve në një treg të përbashkët krijon më shumë qëndrueshmëri në furnizim, më shumë qëndrueshmëri në çmime, si dhe në krijimin e mundësive më të mira për investime private në të dyja krahët e kufirit”, tha ministri shqiptar.


Ndërsa për ministrin Ismajli, ndërtimi i një tregu të përbashkët energjitik nuk mund të realizohet pa u vënë në funksionim linja 400 kw.

”Me përfundimin e linjës 400 kW do të përfundojë dhe puna për ndërtimin e këtij tregu të përbashkët. Kjo shënon dhe hapat e parë në drejtim të realizimit të një tregu të përbashkët dhe heqjes së barrierave mes dy vendeve për çdo produkt tjetër, veç energjisë elektrike”, tha ai.


Tregu i përbashkët energjitik Shqipëri-Kosovë do të pasohet me tregun e përbashkët të telekomunikimit. /albeu.com/
Shtuar më 29/03/2014, ora 15:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori