“Dashuria” Rama-Vuçiç, çfarë mendon Ramush Haradinaj?

Kryeministri Edi Rama është akuzuar shpesh për raportet e tij të ngushta me presidentin serb Vuçiç, ku shpesh është thënë edhe prej opozitës se cënojnë interesat kombëtare të vendit.

Ramush Haradinaj e mirëpret një raport të tillë të Ramës me Vuçiçin duke thënë në një intervistë për ABC se janë pro çdo hapi të hedhur që çon në një marrëveshje finale me Serbinë, me qëllimin kryesor, anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Linda Karadaku-ABC: Kryeministri i Shqipërisë është akuzuar shpesh për marrëdhënien e tij të afërt me presidentin e Serbisë, po flasim për marrëdhënien Rama-Vuçiç. Mendoni që kjo marrëdhënie mund të jetë ndihmesë në momente të caktuara për Kosovën? A mund të shfrytëzohet?

Ramush Haradinaj: Po mendoj se ne duhet të gjithë, çdo mundësi, resurs, përparësi të krijuar, ta shfrytëzojmë për diçka të mirë.

Dhe kjo miqësi po u shfrytëzua për diçka të mirë, është e mirëseardhur pra. Dhe pse jo, ia vlen me investu gjithë atë që është kriju, gjithë atë që ka ndodhë në Ballkan, që të mbyllen këto çështje të hapura.

Ne si Kosovë nuk e fshehim, ne e kemi synim dhe jo vetëm synim por të rëndësisë jetike, anëtarësimin në NATO. Dhe arsyeja pse nxitojmë për marrëveshjen me Serbinë është që ndonjë nga Defenders të ardhshëm, ushtrimi  NATO-s në Ballkan, të na përfshijë si anëtarë të NATO-s, se ne jemi pjesë e ushtrimeve të përbashkëta. Pra, ndihma e kryeministrit Rama, ndihma e politikanëve të opozitës në Shqipëri, e të gjithëve është e mirëseardhur që të mbyllet një çështje kaq me rëndësi.


Shtuar 17.11.2022 14:55