"Shpërthen" Maliqi: I bie të ik unë i pari, mandati është qesharak
Deputeti Lefter Maliqi ka dalë në një deklaratë për mediat nga selia e Kuvendit të Shqipërisë ku ka folur për aktualitetin në vend dhe si argument ka përmendur vrasjet, vjedhjet, trafikimin e drogërave të fortë, grabitjeve etj.

Duke e konsideruar situatën si alarmante, Maliqi tha se Parlamenti është shndërruar si qesharak dhe për këtë argumentoi se, deputetët nuk janë të emëruar nga populli por nga listat e kryetarëve.

“Vendi është drejt shpopullimit, fshatrat kanë mbetur vetëm me pleq, rinia po largohet e gjitha. Statistikat flasin se jemi vendi i parë në botë në raport me numrin e popullsisë për azilkërkimin. Kjo është ajo që ka sjell rilindja. I vetmi njeri dhe të vetmit njërëz që përfitojnë nga kjo situatë janë Rama dhe oligarkët e tij”.

Maliqi ka përmendur edhe zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën në Kosovë ku tha se gjithë procesi numërimit zgjati 4 orë, ndërsa në Shqipëri sipas tij vota blihet dhe vidhet.

“Përshëndes kryeministrin e ardhshëm të Kosovës që me siguri do të jetë Albin Kurti, pavarësisht qëndrimeve që mbajtën edhe në Shqipëri për shkak të akuzave të tij edhe ndaj Baton Haxhiut i cili është njeriu më i urryer jo vetëm në Kosovë, që Rama e mban si këshilltar.

Duhet të ngrihemi, fatet e vendit janë në rrezik, krimi na rrezikon. Kryeministri akuzon edhe prokurorin dhe Prokurorinë e Durrësit si të lidhur me bandat. Ka ardhur koha të largohet dhe të rikthehet vota e lirë e shqiptarëve. 2 milion euro një rrugë. 11 km rrugë rurale i kam bërë si kryetar komune për 2 milionë euro. Ky është turp, vendi është në alarm.

Ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve duke nisur vetes sime se ne, nuk jemi deputetë të zgjedhur nga populli, jemi të emëruar në lista nga kryetarët. Ky Parlament është qesharak, është një mandat qesharak. Po nuk u rrëzua ky sistem elektoral, po nuk u rrëzua kjo oligarki na bie të ikim të gjithë që nga unë i pari. Duket sikur jemi të qetë por jemi të qetë sepse kanë ikur të gjithë. Këtu kanë mbetur fukarenjtë, kanë ikur të rinjtë”, tha Maliqi.


Shtuar më 08/10/2019, ora 13:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori