Shqipëria anulon hyrjen pa viza për shtetasit rusë

Vendi ynë ka anuluar hyrjen pa viza në Shqipëri për shtetasit rusë. Laami është bërë i ditur ambasada shqiptare në Moskë.

Për të vizituar Shqipërinë, shtetasit rusë duhet të aplikojnë për vizë në përputhje me qëllimin e udhëtimit, thekson misioni diplomatik shqiptar.

Vendimi është marrë ditën e djeshme në Këshillin e Ministrave, dhe tashmë rusëve do t’i duhet të aplikojnë për vizë pranë ambasadës shqiptare.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse bën me dije, se në përputhje me ndryshimet e datës 20 prill 2023 në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nr. 858, datë 29.12.2021, anulohet regjimi pa viza për shtetasit e Federatës Ruse (çdo vit nga 1 maji deri më 30 shtator)”, thuhet në një mesazh të publikuar në faqen e ambasadës shqiptare në Moskë.

Një vit më parë, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në Shqipëri u zhvillua një debat nëse shtetasve rusë duhet t’ju hiqej mundësia e udhëtimit pa viza, por kryeministri Edi Rama insistoi në atë kohë se kjo gjë nuk do të ndodhte pasi diçka të tillë nuk e kishin bërë as vendet e BE-së./albeu.com/