Shokët që u bënë armiq janë sot të lirë, si u përça banda famëkeqe e Durrësit
Ka shkaktuar jo pak reagime lirimi nga burgu i Endrit Dokles, një ish-anëtar i bandës së Durrësit.

Edhe pse pak ditë më parë ai u dënua me burgim të përjetshëm vetëm dy ditë më parë ai ka shijuar lirinë.

Endrit Dokle, lindur më 31 dhjetor 1983 e kishte ditëlindjen ditën e fundit të vitit 2019. Por, për shkak të pushimeve dimërore gjykata ja bëri dhuratën e ditëlindjes javën e dytë të janarit.

Nga burgim i përjetshëm Gjykata e Krujës vendosi lirimin e parakohshëm të tij, duke argumentuar se përgjatë pesë viteve që vijojnë ai duhet të qëndrojë i dënuar me kusht.

Ky vendim i gjykatës e dërgoi në shtëpi kuksianin me argumentin se ai kishte vuajtur në qeli 25 vite burgim dhe se ishte sjellë mirë. Pikërisht sipas llogaritjeve të gjykatës, Endrit Dokle ka vuajtur 25 vite burgim, edhe pse ai u arrestua në 2006 dhe që prej atëherë në të vërtetë kanë kaluar vetëm 14 vite.

Llogaritë e gjykatës përfshijnë edhe kohën e paraburgimit, edhe pse të akuzuarit nuk ja ka hequr asnjë gjykatë burgimin e përjetshëm dhe as dënimin me një burgosje të dytë me 18 vite burg për trafik heroine.

Endrit Dokle u pa nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si krijues i një grupi kriminal, pasi u nda nga banda e Durrësit duke bërë si armik kryesor të vetin ish-shefin Lulzim Berishën. Ndaj tij u adresuan eleminimi i Dritan Dishës dhe Erjon Lames, por edhe atentatet e njëpasnjëshme të urdhëruara nga prilli deri në gusht 2005, periudhë kur dy miqtë e shndërruar në kundërshtarët të pakompromistë në krim shënuan përplasjet më të forta.

Në dosjen që disponon ekskluzivisht gazeta “Si”, thuhet se “Banda e Durrësit” u themelua gjaë 1998 nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Gjithçka ndodhi për shkak të rivalitetit me një grup tjetër ku përmenden edhe emra të tjerë të botës së krimit, sikurse është ai i Viktor Ymerit, edhe ai i liruar dhe që është deklaruar si një nga kundërshtarët më të fortë të Lul Berishës.

Grupi ishte i konsoliduar deri në vitin 2002 dhe në atë kohë në organizatë, sipas hetimeve, rezultoi të ishin përfshirë edhe Plaurent Dervishaj, Adriatik Coli, Ilir Xhunga (i vrarë), Arben Paja (i vrarë) Endrit Dokle, Indrit Taullai e të tjerë. Në vitin 2002 organizata u përça dhe u nda në dy grupe rivale, të cilat drejtoheshin nga Lulzim Berisha dhe Klodjan Saliu. Në vitin 2005 Klodian Saliu u vra dhe në këtë moment drejtimin e grupit rival e merr Endrit Dokle.

“Si lindi dhe u krijua organizata kriminale e drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi i vrarë Klodjan Saliu në vitin 1998?”, pyeste Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas shpjegonte në pretencën që po sjellim ekskluzivisht.

I pandehuri Lulzim Berisha dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu rezultoi e provuar se janë bashkuar me njëri-tjetrin në vitin 1998 dhe kanë krijuar një organizatë kriminale, fillimisht me qëllim për t`iu kundërpërgjigjur kundërshtarëve të përbashkët të tyre, e në vijim për të kontrolluar duke mbizotëruar me dhunë trafiqet e ndryshme kryesisht në rrethin e Durrësit. Fillimisht si i pandehuri Lulzim Berisha ashtu dhe shtetasi i vrarë Klodjan Saliu kishin lidhje dhe shoqëri të ndryshme në qytetin e Durrësit, kjo për shkak të origjinës dhe vendodhjes së banesave të tyre, por e përbashkëta e tyre ishte identifikimi i prirjeve të tyre të theksuara kriminale. Secili prej tyre kishte të grumbulluar rreth vetes bashkëpunëtorë të bindur në rrugën e tyre kriminale.

Lidhur me njohjen e të pandehurit Lulzim Berisha, e shtetasit të vrarë Klodjan Saliu dhe bashkimit të tyre duke krijuar organizatën kriminale, i pandehuri Adriatik (Dritan) Coli ndër të tjera në seancat gjyqësore të datave 28.09.2009 e në vijim është shprehur se:

Adriatik Coli: Klodian Saliu i forcoi lidhjet me Lulzim Berishën, sepse porositën 15 kg heroinë për të cilën kemi mbajtur peng 2 shtetas turq. Kam qenë prezent. I çuam tek shtëpia e Jetës, i mori Luli, i kishte gjetur me anë të agjencisë në Tiranë. Kishin bashkuar lekët me Klodin për të blerë heroinë tek ata. Turqit i mbajtëm dy javë derisa të vinte porosia nga Turqia, të vinte heroina. Me turqit ndenja unë me Yllin dhe i mbanim tek shtëpia e Luljeta Berishës. Kjo e kishte shtëpinë në lagjen time. Kishte një dhomë e kuzhinë, por e kishte bërë një dhomë pritje, dy dhoma gjumi dhe një guzhinë, pra kishte ndërhyrë në projekt. Shpenzimet për ushqimin e tyre i paguante Luli. Një person i tretë ishte nisur për në Turqi. Klodi bashkë me Lulin kishte paguar 160 mijë marka. E mësova nga Lul Berisha dhe Klodian Saliu. Nga porosia që erdhi u pa se nuk ishte tamam. Erdhën vetëm 3.5 kg heroinë e pastër, tjetra erdhi zhavorr. Atë që erdhi e mori Klodi, ndërsa lekët e Lulit shkuan kot”

“Cilat janë krimet e kryera nga organizata kriminale pas krijimit të saj, viktimat, motivet, qëllimet?”, vazhdonte të pyestë prokuroria.

Viktima e parë pas themelimit të organizatës kriminale është shtetasi Dritan Sallaku, lindur dhe banues në Durrës. Viktima njihej për tendenca të theksuara kriminale në qytetin e Durrësit dhe i grupuar rreth shtetasit Marsel Sotira, i cili në këtë periudhë predominonte trafiqet e kontrabandën në Portin e Durrësit.

Dëshmitari Erald Bajrami, në atë kohë ndër të tjera dëshmoi se: Natën e vrasjes së Dritan Sallakut më është kërkuar nga Dashamir Sallaku, vëllai i Dritanit të marr në shtëpinë e saj të dashurën e Dritanit. Atë natë kam takuar shtetasin Marsel Sotira, pasi kam zbritur nga shtëpia e Dashamir Sallakut, që ka qenë ora 10:30, ishte dy orë pas ngjarjes. Dashi më kërkoi të lajmëroj të dashurën e Dritanit. Unë nuk pranova, ishte vonë. Unë e kisha bluzën me gjak dhe Marseli më pyeti lidhur me ngjarjen që ishte vrarë Dritani. Unë i tregova dhe ai më tha ik në shtëpi.

Prokuroria thotë në dosje se pas vrasjes së shtetasit Dritan Sallakut rreth 3-4 ditë më pas, grupimi i drejtuar nga Marsel Sotira godet me armë zjarri në drejtim të pjesëtarëve të afërt të Lulzim Berishës, siç ishte Redinal Dervishaj, vëllai i të pandehurit Lulzim Berisha. Kjo goditje ka ndodhur në afërsi të shtëpisë që ndërtonte i pandehuri Lulzim Berisha në hyrje të qytetit Durrës, ku me armë zjarri është qëlluar në drejtim të Redinalt Dervishajt, por pa pasoja pasi ai ka shpëtuar pa u goditur. Kjo goditje e menjëhershme ku është dyshuar se njëri prej tyre ka qënë shtetsi Arben Paja, bashkëpunëtor i Marsel Sotirit, ka nxitur edhe më shumë organizatën kriminale të drejtuar nga i pandehuri Lulzim Berisha e shtetasi Klodjan Saliu të godasin në drejtim të Marsel Sotirit, i cili plagoset rëndë, ndërkohë që dy të tjerë mbeten të vrarë mes tyre edhe Viron Curri për të cilin i ati i viktimës deklaroi:

Thoma Curri: Na thanë që është vrarë. Ka qenë në një makinë me një person tjetër të nesërmen që erdhi trupi dhe erdhën shokët e ndërmarrjes. Morëm vesh që prapa kësaj prite të Rrushbullit ishte banda u Lul Berishës dhe Endrit Dokles për të vetmen arsye….Me makinën që udhëtonte djali ynë ishte makina e Marsel Sotirit. Unë e mora vesh nga shokët e tij, sepse ai punonte në doganë. Shokët më thanë se vajtën përnjëhërë në Durrës dhe u interesuan dhe thanë që prapa kësaj ngjarje është Marsel Sotiri, i cili kishte probleme me këtë bandë….

Më vonë grupi organizohet për të marrë hak duke aktivizuar Viktor Ymerin për të ekzekutuar Lulzim Berishën, por që pasi makina u qëllua me antitank mbetën të vrarë Ilir Xhunga dhe Arben Paja.

Adriatik Coli solli edhe njëherë në gjykatë varrimin me armë të Xhungës, ku të gjithë ishin me kallashnikovë.

Adriatik Coli: Të nesërmen Klodianit i vinë haberet që Ilir Xhungës dhe Arben Pajës i kishin gjuajtur Marsel Sotiri, Tur Labi, Ed Ongari, Alban Selishta, Kokëlopa, Gaxhai dhe Viktor Ymeri. Gjithashtu, po atë ditë kur kishin gjuajtur, siç thashe më lart, ngeli i plagosur “Kokëlopa”, (Bledi) nga Sukthi dhe Alban Selishta. (si)
Shtuar më 15/01/2020, ora 12:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori