Lojtarët më të shtrenjtë të Superiores/ Kryeson mbrojtësi i Tiranës, Partizani 4 lojtarë në “Top10”

Kategoria Superiore pritet që të ngrejë siparin në fundin e kësaj jave, me skuadrat që do të nisin rrugëtimin e tyre që do të jetë më i gjatë se 36 javë. Pas sezonit të rregullt, katër skuadrat e renditura në vendet e para do të garojnë në një “Final Four”, për të përcaktuar ekipin kampion dhe që do të na përfaqësojë në Champions League edicionin e ardhshëm.

Në një vlerësim të bërë nga “Transfermarkt”, shihet se në 10 lojtarët më të shtrenjtë janë lojtarët e tre ekipeve që u renditen në vendet e para sezonin e shkuar, të Partizanit, Tiranës dhe Egnatias. Lojtari më i shtrenjtë i Superiores është Erion Hoxhallari, teksa vlera e kartonit të tij është 550 mijë euro. Pas tij renditet fituesi i Këpucës së Artë i edicionit që lamë pas, Florent Hasani, i cili arrin vlerën e gjysmë milioni euro. Pas dy lojtarëve të bardhebluve ndodhen 4 lojtarë të Partizanit, me Massanga Matondo që është lojtari më i shtrenjtë i kampionëve, pasi ka vlerën e 500 mijë eurove, po aq sa dhe Hasani.

Pas tij janë Andi Hadroj (450 mijë euro), Arinaldo Rrapaj (450 mijë euro) dhe Victor Da Silva (400 mijë euro). Po aq sa dhe braziliani i Partizanit vlerësohen dhe tre lojtarë të Egnatias, Fernando Medeiros, Raphael Dwamena dhe Vüsal Isgandarli që po ashtu vlerësohen në shifrën e 400 mijë eurove. Më pas, për të kompletuar 10-shen e parë ndodhen me të njëjtën vlerë, Deliu, Lushkja, Mba dhe Dodev, të cilët e kanë vlerën e kartonit nga 350 mijë euro.


Shtuar 21.08.2023 12:48