PDIU braktis Edi Ramën
Sherri me deputeten e PS-së, përgjigjja e gazetares
Pëlqej
Përplasja e sotmë në mës deputetes së Partisë Socialiste Elona Gjebrea dhe gazetares Esiona Konomi, duket se është mbyllur me një reagim të gazetares.

Gazetarja pyeti sot deputeten nëse ishte marrë në pyetje apo jo nga Prokuroria për Dosjen “Habilaj”, por nga deputetja mori përgjigje një pyetje: Çfarë je ti prokurore? Pas kësaj pyetje mes tyre pati disa replika të forta.

Reagimi i plotë i gazetares

Kur deputetja e PS-së, Elona Gjebrea mu hakërrye sot, duke më thënë se unë, isha një vajzë, dhe nuk isha një prokurore që mund ta pyesja atë drejtpërdrejt nëse kishte udhëtuar apo jo ndonjëherë me makinën e Habilajve, ndryshe nga kolegë që më pyesnin “Po kjo ç’pati me ty? ǒe gjeti?”, nuk u shqetësova.

Në fund të fundit, i përsërita vetes të njëjtin refren që bluaja në mendje kur disa javë më parë i hoqa kryeministrit mikrofonin, teksa veç po na fyente.

Është e njëjta panoramë: politikanët që fyejnë apo hakërrehen, (kryeministër apo deputet periferik qoftë) për mua janë thjesht një kusht i keq pune, për të cilët nuk mund të ankohem.

Është një lloj si të ankohem për motin e ftohtë, për rrezikun që mund të humbasësh aktivitetin nga trafiku, apo në rast hipotetik të raportosh për ndonjë përmbytje, protestë, apo ngjarje tjetër që nuk të jep luksin e këmishës së hekurosur e flokëve të krehur.

Edhe arroganca e rilindësve nuk përbën arsye që unë të ankohem, apo aq më pak të lëndohem. Unë kam vetëm një detyrë: të bëj pyetjet e duhura.

Nuk është faji im që ish-zëvendësministrja po përballet me një akuzë të rëndë, dhe nuk e di që, si e zgjedhur, si njeri që paguhet me taksat e mia dhe tuajat, duhet të japë përgjigje edhe përpara gazetarëve, sikundërse në prokurori.

Aq më pak nuk është faji im nëse ajo mendon që gazetarët nuk duhet të bëjnë pyetje, se ato i bëjnë prokurorët. Më vjen keq që e zhgënjej në pritshmërinë e saj se unë si gazetare duhet të mbaj mikrofonin kur ajo dhe kolegët e saj bëjnë propagandën e kështjellave të suksesit, që po u rrëzuan, ata s’mbajnë përgjegjësi se nuk kanë pasur dijeni për cilësinë e skeletit.

Ajo që më vendos në dilemë të fortë, nuk është as kryeministri dhe as deputetja e tij me kthetrat e nxjerra.

Jo.

Ajo që nuk mundem dot ta kuptoj, me gjithë përpjekjet e mia për të gjetur një përgjigje të arsyeshme, janë reagimet e publikut.

As kur i hoqëm mikrofonin Ramës, dhe as sot, publiku nuk është me gazetarët.

Një vëzhgim i lehtë i komenteve në rrjetet sociale ku janë shpërndarë videot, të rreshton një lumë fyerjesh ndaj gazetarëve dhe pyetjeve të tyre. (Duket në fakt sikur të gjitha t’i ketë shkruar Edi Rama. Janë konsiderata identike për median).

Si mund të jetë kaq indiferent publiku, (jo kur përbalten gazetarët), por kur politikanët nën akuza të rënda refuzojnë të japin llogari?

Si mundet që nuk ndjehet mes tyre asnjë presion, sado periferik, qoftë edhe vetëm ndaj dyshimeve që qarkullojnë mbi zyrtarët e lartë?

Si nuk kërkojnë këta taksa-pagues llogari për veprimtarinë e njerëzve që zgjedhin dhe paguajnë me paratë e tyre?

Sikur të ishin agresivë ndaj pushtetarëve sa janë ndaj gazetarëve, qeverisja do të ishte padyshim më e mirë.

Unë nuk e kam sot një përgjigje për veten, se pse publiku është kundër gazetarëve.

Për sa kohë nuk e kam gjetur ende këtë përgjigje, do të vijoj të bëj pyetje, çfarëdo epitetesh të më vendosin.
Shtuar më 24/11/2017, ora 18:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori