Shënohet 102 vjetori i Kongresit të Manastirit
Pëlqej
Me vizitën e Muzeut të Alfabetit ku është mbajtur Kongresi i Manastrit sot po në këtë qytet u shënua 102 vjetori i këtij Kongresi. Në shënimin e këtij evenimenti morën pjesë zëvenëskryeministri i Republikës së Maqedonisë Abdilaqim Ademi, ministra, deputetë, historianë, albanologë si dhe ambasadori i Kosovës në Republikën e Maqedonisë, Skënder Durmishi.

"Kongresi i Manastirit është ngjarje e cila mund të konsiderohet si më e rëndësishmja për shqiptarët sepse ata vendosën të zgjedhin alfabetin latin pasiqë atë kohë gjuha shqipe shkruhej në katër alfabete të ndryshme", tha në fjalimin e tij zëvendëskryministri i Maqedoniosë Abdilaqim Ademi, duke theksuar se "pikërisht për rëndësinë e kësaj dite për shqiptarët, vendosëm që të jemi pikërisht këtu, në vendin ku është mbajtur Kongresi i Manastirit para 102 viteve".

Ademi njoftoi se manifestimet do të vazhdojë deri më 28 nëntor, Ditën e Flamurit dhe theksoi se shumë shpejt në shtëpinë e alfabetit do të bëhen punësime me çka do të plotësohen edhe kriteret që ky institucion të regjistrohet në regjistrin qëndror të Maqedonisë.

Në tribunën shkencore për “Kongresin e Alfabetit”, që u organizuan nën patronazhin e Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, midis të tjerëve foli edhe historiani Muzafer Bislimi i cili tha se jo kjo ditë nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët e Maqedonisë por për të gjithë shqiptarët në përgjithësi.

"Manastri, vendi ku është mbajtur Kongresi, ku është sjellë vendimi për alfabetin të cilin ne sot e përdorim është i shenjtë për të gjithë shqiptarët pa marrë parasysh nga cilat vende vijnë. Ata duhet ta vizitojnë këtë shtëpi e cila së shpejti do të zyrtarizohet dhe kompletohet sipas mundësive me dokumentat origjinalë", tha Bislimi duke theskuar se këtë vend duhet ta vizitojnë posaçërisht gjeneratat e reja dhe të mësojnë se Manastiri është qendër shumë e rëndësishme për shqiptarët.

Avni Mustafa albanolog, e cilësoi përvjetorin e Kongresit të Manastirit si ngjarje mjaft interesante dhe shumë të madhe për shqiptarët, vaçanërisht për shqiptarët e Manastirit.

"Patjetër që duhet të kthehemi këtu në Manastir që të mos e harrojmë këtë qytet legjendar dhe këtyre shqiptarëve që kanë mbetur pakicë duhet tu japim përkrahje të paktën morale", tha albanologu Mustafa.

Manifestimet për 102-vjetorin e Kongresit të Manastrit u përkrahën nga Sekretariati për Implementimin e Ohrit, komuna e Çairit dhe disa komuna të tjera në vend.

Një koncert recital me ansamblet shqiptare shënoi mbrëmë në Manastir fillimin e manifestimeve kulturo-artistike për shënimin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit.

Kongresi i Manastirit mban mbledhjen e dijetarëve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908, i cili përcaktoi Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Ky Kongres me themelimin e këtij alfabeti shënoi edhe fillimin e letërsisë mbarëshqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë si dhe komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt dhe Amerikë.

Komisioni i alfabetit në kongres përbëhej nga 11 anëtarë, kryetar i këtij komisioni ishte At Gjergj Fishta, ndërkohë ndër anëtarët rradhiten emra të njohur të lëvizjes kombëtare si Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, Bajo Topulli, Sotir Peci, Shahin Kolonja etj. Parasheqevi Qirjazi në rolin e sekretares në Kongres është e para grua që merrte pjesë në një forum të lartë të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Kongresi vendosi me votë unanime të lihet mënjanë alfabeti i Stambollit, dhe të shkruhet gjuha shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja ai që përdoret edhe sot. (MIA)
Shtuar më 22/11/2010, ora 18:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori