Shembet sot pallati 9 katësh në Durrës, IKMT thirrje banorëve
Një pallat 9 katësh i cili ka mbetur i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit parashikohet të shembet sot rreth orës 13:00 në Durrës.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njofruar qytetarët dhe banorët përreth të lënë hapur dyert dhe dritaret, si dhe të lënë përtok pajisjet elektronike që mund të thyhen si pasojë e fuqisë së shpërthimit.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe forcat xheniere të ushtrisë Ministria e Mbrojtjes Tiranë kanë planifikuar prishjen me shpërthim të kontrolluar të pallatit 9 katësh në njësinë administrative nr. 3, rruga “Hysen Myshketa” Durrës.

Shpërthimi do të kryhet në orën 13.00.

Për arsye sigurie njoftojmë të gjithë bizneset dhe banorët e banesave që ndodhen pranë këtij pallati që ditën e premte, datë 27 nëntor 2020, nga ora 11.00 deri në orën 18.00 të lënë hapur dritaret dhe dyert e banesave dhe subjekteve të tyre, të ulin në dysheme televizorë, kompjuter si dhe çdo pajisje tjetër që e shohin të arsyeshme dhe të largohen nga banesat dhe subjektet e tyre.

Ju falenderojmë për mirëkuptimin”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Durrësi është zona më e goditur nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Ende pas një viti, autoritetet shtetërore vijojnë të shembin godinat që kanë pësuar goditje të forta nga lëkundjet sizmike.
Shtuar më 27/11/2020, ora 11:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori