Serbia shton forcat në Luginë
Një ditë pas përfundimit të ultimatumit të Qeverisë së Serbisë për drejtuesit e Komunës së Preshevës për largimin e Lapidarit të Dëshmorëve, situata në Luginë të Preshevës vazhdon të jetë e tendosur, ndërsa raporohet për shtim të numrit të policëve gjithandej komunave të populluara me shqiptarë, njofton Zeri.

Pllaka me emrat e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (ULÇPMB) është vendosur në qendër të qytetit të Preshevës më 28 nëntor të vitit të kaluar, përkatësisht në ditën kur Republika e Shqipërisë ka festuar njëqindvjetorin e themelimit të shtetit.

Autoritet serbe kanë vazhduar me "presion psikologjik" ndaj shqiptarëve të Luginës, ndërsa partitë politike dhe organizatat e ndryshme kanë vazhduar të reagojnë karshi situatës në të cilën ndodhen qytetarët e Luginës së Preshevës.

Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Mitrovicë, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar nga institucionet e shtetit shqiptar dhe ato të Kosovës, që t’i mbështesin shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me vendosmëri mbrojnë lapidarin e ngritur në qendër të Preshevës, për dëshmorët e UÇPMB-së.

"Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë i ka përcjellë me vëmendje zhvillimet në Preshevës, dhe është e shqetësuar për shkak të kërcënimeve të pushtetit serb ndaj shqiptarëve, të cilët janë duke i mbrojtur të drejtat e tyre elementare, të garantuara madje edhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Serbisë. KMDLNJ i mbështet pa rezervë qëndrimet dhe vendosmërinë e shqiptarëve, liderëve dhe institucioneve të tyre për ta mbrojtur lapidarin", thuhet në reagim.

Në reagim theksohet, se përderisa shqiptarët u ngrenë lapidar dëshmorëve të tyre, që kanë rënë në luftë me forcat ushtarake-policore serbe dhe jo me qytetarët serbë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë, të drejtat dhe liritë e tyre, që u ishin rrezikuar, serbët e Kosovës kanë ngritur lapidar për ata që kanë bërë krime monstruoze ndaj civilëve, e para së gjithash ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë.


Njëri nga anëtarët e Këshillit Organizativ të protestës, Fitim Salihu, ka thënë se shqiptarët e Kosovës Lindore në mënyrë të padrejtë janë ndarë nga trungu shqiptar, ndërsa ka theksuar se, siç ka thënë ai, Kosova Lindore, si pjesë e Kosovës dhe të dyja si pjesë e Shqipërisë natyrale do të mbrohen me të gjitha mjetet dhe mënyrat. /albeu.com/

Shtuar më 18/01/2013, ora 09:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori