Ndaj Sevillas për të mbrojtur titullin, Reali kërkon fitoren për të shpëtuar sezonin

Vetëm katër ditë pas eliminimit në Champions nga Chelsea Reali i Madridit do t’i kthehet kampionatit dhe tashmë rekordmenët e futbollit spanjoll do të hedhin të gjitha forcat në ligë, për të mbrojtur me fanatizëm titullin në Primera Division. Në mënyrë të kuptueshme tani kampionati është trofeu i vetëm që i mbetet skuadrës merengues, që janë të shtrënguar për të mbledhur edhe ato pak energji që kanë mbetur për të shpëtuar sezonin. Përballë këtë herë qëndron skuadra e Sevillas dhe dy ekipet do të masin forcat në një klasike të temporada-s, ndeshje që pritet të vendosë vërtet shumë në lidhje me fatin e mëtejshëm të këtij edicioni të kampionatit spanjoll.

Shumë gjëra u mblodhën bashkë dhe morën një rrjedhë të keqe në këtë sezon, për kampionët në fuqi. Duke filluar nga eliminimi i turpshëm me një kundërshtar modest si Alcoyano në Kupën e Mbretit, luhatjet e shumta në kampionat, tentativa e dështuar për të krijuar një strukturë paralele si Superliga Evropiane dhe së fundi diferencat e mëdha që shfaqi në lojë formacioni i përzgjedhur nga trajneri Zinedine Zidane ndaj bluve të Londrës, në “Stamford Bridge”. Tani nuk ka më kohë për llogari por është e qartë që “los blancos” duhet të fitojnë gjithë ndeshjet që kanë mbetur në kalendar. Një gjë është e sigurt, çfarëdo lloj gjëje që të bëjnë rivalët e tjerë, nëse skuadra merengues grumbullon 12 pikë në katër sfidat e mbetura atëherë “los blancos” do të kurorëzohen me trofeun e 35 në historinë e ligës spanjolle, duke u shkëputur me plot 9 tituj më shumë se sa rivalët e përjetshëm të Barcelonës.

Barazimi pa gola në “Camp Nou” ndërmjet Barçës dhe Atletikos riktheu sërish gjithçka në duart e kampionëve në fuqi, të cilët tani janë të favorizuar kundrejt klubeve të tjerë për shkak të bilancit pozitiv në sfidat direkte. Në përballjet e drejtpërdrejta Reali ka fituar 3-1 dhe 2-1 dy takimet me ekipin blaugrana, ndërkohë skuadra e drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane ka gjithashtu bilanc pozitiv edhe me Atletikon, 2-0 në Stadiumin “Alfredo di Stefano” në fazën e parë dhe 1-1 dy muaj më parë, në duelin e kthimit në “Wanda Metropolitano”. Për momentin Atletiko dhe Barca pra kanë luajtur një ndeshje më shumë dhe në klasifikimin e përgjithshëm Los Colchoneros kryesojnë me 2 pikë më tepër se ekipi katalanas dhe 3 më shumë se sa skuadra merengues, ndërsa Sevilla ka humbur ndjeshëm terren dhe ka mbetur prapa, e distancuar plot 7 pikë nga formacioni i Diego Simeones.

Të hënën në mbrëmje 37-vjeçari nga Extremadura, Gil Manzano i mohoi një 11-metërsh flagrant skuadrës andaluziane, në takimin me Athletic Bilbaon, duke irrituar pa masë trajnerin Julen Lopetegui. Sikur të mos mjaftonte ajo penallti e mohuar në startin e pjesës së dytë vendasit pësuan në sekondat e fundit brenda në “Ramon Sanchez Pizjuan” një gol në kundërsulm nga sulmuesi i përfaqësueses Inaki Williams, humbja e parë në afërsisht dy muaj, 7 fitore e vetëm 2 barazime në 9 takimet e fundit në të gjithë kompeticionet, por gjithsesi tani gjithçka është hedhur pas krahëve dhe i përket të kaluarës dhe është e qartë që 54-vjeçari bask bashkë me ekipin e tij do të zbresë në kryeqytetin e vendit për të shitur shtrenjtë lëkurën, duke iu prishur punë në njëfarë mënyre pikërisht kampionëve në fuqi.

Në mënyrë të kuptueshme edhe nëse fiton 100% të pikëve asgjë nuk varet më nga skuadra andaluziane, që përvec të tjerave do të ketë gjithashtu edhe një kalendar tepër të vështirë. Prej këtej deri në fund përveç Realit skuadra e Sevillas do të masë forcat gjithashtu edhe me ekipe si Valencia, Villareal dhe Deportivo Alaves, ndërkaq “los blancos” nga ana e tyre do të përballen me kundërshtarë të rrezikshëm si Granada e Athletic Bilbao larg kryeqytetit, ndërsa në takimin përmbyllës kampionët në fuqi do të ndeshen me Villareal-in në shtëpi, një duel që do të mbahet vetëm tre ditë përpara sfidës së shumëpritur që do të ketë “nëndetësja e verdhë” në Gdansk me Manchester United, në finalen e madhe të edicionit të sivjetshëm në Europa League. Sevilla sigurisht me këtë mllef e zemërim të grumbulluar ndër vite do të provojë me të gjitha forcat për t’u afruar dhe ngushtuar sërish diferencën me kreun në tabelën e renditjes, me qëllimin për t’u hakmarrë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj “fuqive të mëdha” të futbollit spanjoll.

Sezonin e kaluar “los nervionenses” e përfunduan kampionatin në vendin e katërt, në kuotë të njëjtë pikësh me Atletikon e Simeones, por me plot 17 pikë më pak se sa Reali i Zizusë, ndërsa këtë radhë me një triumf në kryeqytet Sevilla do të ngushtonte në thjesht katër pikë diferencën me kreun dhe vetëm një me klubin mbretëror. Pavarësisht kalendarit sfidues Reali ka rastin për të mbrojtur me sukses titullin në Primera Division për herë të parë që nga viti 2008, ndërsa në krahun tjetër Sevilla do të bëj çmos për të mbajtur ende të gjalla shpresat për një titull të cmendur, që i mungon klubit të mirënjohur andaluzian prej ekzaktësisht treçerek shekulli. Te vendasit do të mungojnë në fazën mbrojtëse futbollistë shumë të rëndësishëm si: Sergio Ramos, Raphael Varane, Lucas Vazquez, Ferland Mendy dhe Dani Carvajal, ndërsa në krahun tjetër mbeten në dyshim për trajnerin Julen Lopetegui lojtarë të tillë si Jules Kounde, Youssef En – Nesyri dhe Joan Jordan.

Futbollisti maroken është golashënuesi më i mirë i skuadrës së Sevillas, në kuotën e 17 golave, vetëm katër më pak se sa sulmuesi kryesor i Realit Karim Benzema. Përpara disfatës në “Stamford Bridge”, “los blancos” krenoheshin me plot 19 takime pa humbje në të gjithë aktivitetet, 13 fitore e vetëm 6 barazime. Sevilla ka humbur radhazi katër takimet e fundit ndërmjet tyre në ligën spanjolle si dhe 13 sfidat e fundit në fushën e Realit në të gjithë kompeticionet. Ndeshja Real – Sevilla pra do të zhvillohet në orën 21:00 në Stadiumin “Alfredo di Stefano” të Madridit, ku skuadra andaluziane nuk e mposht ekipin merengues që nga triumfi i paharruar me shifrat 4-3, në vitin e largët 2008, kur klubet drejtoheshin respektivisht nga trajnerët Bernd Schuster e Manolo Jimenez, ndërsa fatin e këtij dueli të zjarrtë e vuloste mesfushori brazilian Renato, me një gol 5’ para fundit të takimit.


Shtuar 9.05.2021 09:16