Burri nga Vora denoncon në polici: Po flija me gruan kur hajdutët u futën, më vodhën pantallonat

Hajdutët ndonjëherë kanë sens humori të pabesueshëm. Së paku kështu bindesh nëse lexon kallëzimin e dorëzuar para oficerit të policisë në Vorë me inicialet A. M. ku i dëmtuari tregon çast pas çasti se si u vodh dhe se si hajdutët e ndaluan atë që mos ti ndiqte me vetëm një veprim. Duke i vjedhur pantallonat. Një burim policor i Gazetës “Si” pranë policisë lokale tregoi se si shtetasi me inicialet S. C, banues në fshatin Fushë-Prezë mbasi u bastis nga persona të panjohur kërkoi ekspertizën e policisë për zbulimin e tyre. 45-vjeçari tregon në polici se hajdutët kapërcyen murin rrethues.

“Nëpërmjet dritares së banjës e cila ka një dritare nga pjesa e pasme e banesës dhe që është e pasiguruar kanë hyrë brenda në shtëpi dhe në katin e dytë ku po flija me gruan time kanë marrë si fillim pantallonat e mia” – deklaron i zoti i shtëpisë. Sipas tij mbas këtij veprimi hajdutët kanë filluar xhiron nëpër banesë të sigurt që kryefamiljari edhe nëse zgjohej nuk do i ndiqte dot mbasi ai ishte i zhveshur dhe pantallona.

“Më pas kanë hyrë në dhomën ku fle nëna H.C, kanë kontrolluar por nuk kanë marrë asgjë aty. Kanë zbritur në katin e parë duke vjedhur prej andej televizorin, një laptop “note bosk” si dhe një xhup në dhomën e pritjes”, shton i zoti i shtëpisë.

Mbas këtij veprimi, 45-vjeçari tregon se hajdutët kanë dalë nga dera kryesore dhe e kanë mbyllur me çelës shtëpinë nga jashtë.

“Pantallonat e mia që i morën në dhomën e gjumit i kanë hedhur jashtë së bashku me të kanë lënë edhe çantën e gruas që e kanë kontrolluar dhe mbasi kanë marrë rreth 30 mijë lekë të reja kanë zhvatur edhe dokumentet personale si patentë, karta banke”,pohon në denoncim S. C.

Por i zoti i shtëpisë u kthehet sërish pantallonave që ja morën në afërsi të krevatit duke thënë në polici se “në xhepin e pantallonave përpara se ti flaknin jashtë kanë gjetur çelësat e makinës, të njërit prej mjeteve të parkuara në oborr që është tip mercedez-benz.

“Por duke qenë se në makinë kanë gjetur një bllok kartëvizitash të vendit ku punoj unë në një kompani të njohur, e kanë larguar prej aty dhe e kanë lënë të mbështjellë me letër të bardhë në parvazin e dritares,” shtjellon 45 vjeçari.
Hajdutët të qetë kanë hapur me pult derën dhe kjo vizitë e tyre, pavarësisht se i zoti i shtëpisë tregon se ju morën pantallonat as që i ka zgjuar anëtarët e familjes.

“Këtë fakt e konstatova në orën 4:20 dhe njoftuam policinë e cila edhe ka hapur derën kryesore të kyçur nga jashtë,” tregon S. C në kallëzimin qe disponon.

Policia shton se mbasi ka këqyrur disa bidonë plastikë që besohet se janë përdorur nga hajdutët gjatë bastisjes, ka zbuluar se hajdutët janë larguar me automjetin e vjedhur në drejtim të Fushë-Krujës. Mbas një sërë veprimesh hetimore ,policia deklaron për Gazetën “Si” se ka identifikuar si hajdut një 29-vjeçar nga fshati Yrshek me inicialet E. SH, i cili është shpallur në kërkim policor.

“Puna jonë vazhdon për të bërë të mundur identifikimin e plotë policor, u shpreh një zyrtar i rendit që këmbëngul se kjo është një nga vjedhjet më të rralla, ku hajduti jo vetëm vodhi pantallonat për të paralizuar kryefamiljarin, por i mbylli ata nga jashtë tek të dyja dyert, edhe tek kryesorja edhe portën./SI


Shtuar 6.06.2021 13:15