PS kërkoi ç’regjistrimin, kandidati për Shijakun: Kam vetëm kundravajtje, e kam deklaruar në KQZ

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tushe pas kërkesës së Partisë Socialiste për çregjistrimin nga zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në kërkesën që PS dorëzoi dje në KQZ  thuhet se Rezeart Tusha rezulton i dëbuar nga Zvicra në vitin 1997, për posedim të lëndëve narkotike, duke iu ndaluar hyrja për pesë vite.

Tushe në një deklaratë për mediet ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se është dëbuar nga Zvicra për arsye të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe jo për drogë. Ai bën me dije se ka dorëzuar në KQZ formularin përkatës ku deklaron se ka një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit.

Deklarata e Tushes 

Të nderuar bashkëqytetarë të Shijakut dhe rrethinave.
Të dashur vëllezër e motra shqiptarë! Siç mund ta keni parë, mediat pranë pushtetit, me porosi qeveritare, kanë nisur kundër meje një seri sulmesh bazuar në shpifje e shtrembërime.

Së pari, kjo dëshmon se i ka kapur paniku për humbjen pritshme më 14 maj, dhe shpresojnë ta mundin Partinë Demokratike dhe kandidatin e saj në tavolinë. Përpjekja për të më skualifikuar mua si kandidat të koalicionit “Bashkë fitojmë”, nuk bëhet se u intereson e vërteta, por se e dinë se çfarë i pret në Shijak këto zgjedhje.

Së dyti, unë dua të sqaroj opinionin publik në lidhje me atë që qeveria dhe mediat pranë saj quajnë “dënim”.
Fakt ky që ndodhet vetëm në imagjinatën e tyre, jo në dokumente zyrtare. KQZ më ka regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, për arsye se e kam dorëzuar formularin përkatës ku deklaroj se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qendrimit. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin për zgjedhjet e vititi 2021, kur kam qenë në listat e Partisë Demokratike, si kandidat për deputet.

Në 2021, kur u ngrit ky pretendim për ‘dënim’, KQZ e çoi formalisht ne Prokurorinë e Përgjithshme për verifikim të thelluar nga sektori i dekriminalizimit dhe mora dritën jeshile të kandidimit. Kjo është e vërteta me dokumente, të cilat do t’i vë në dispozicion të medias dhe publikut bashkë me këtë deklaratë.

Kjo është pjesë e luftës politike, përpjekje amorale e qeveisë për të më skualifikuar nga zgjedhjet. Nuk u vë faj, se u është bërë huq që, ose i vjedhin zgjedhjet, ose i fitojnë pa asnjë kundërshtar përballë. E kanë kot. Do të më kenë përballë më 14 maj, jo vetëm si kandidat por edhe si gardian të votës së lirë. Për shijakasit e mi kam vetëm një thirrje: mos u trembni! Bashkë fitojmë!/Albeu.com/


Shtuar 6.04.2023 15:04