Sekuestrohet heroinë, kanabis dhe kapsula metadoni: Shkon në 6 numri i të arrestuarve
Policia e Korçës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në pranga janë vënë dy shpërndarësit, ndërsa u precuan penalisht edhe 7 klientët e tyre.

U sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, të ndara në doza, gati për shitje, si dhe kapsula metadoni.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi 2-mujor, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta. Si rezultat u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve në kërkim F. Ç., 35 vjeç dhe E. R., 36 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje), të dy banues në Korçë, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 24.11.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: O. K; M. Q; O. K; P. K; B. Xh; V. Th. dhe O. E., të cilët janë kapur në kohë të ndryshme nga forcat e Policisë, me doza heroine dhe kapsula metadoni, që dyshohet se i blinin tek shtetasit F. Ç. dhe E. R.”, sqaron policia.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i aktivitetit kriminal që këta shtetas e ushtronin në qytetin e Korçës, duke shpërndarë kundrejt fitimit, sasi lënde narkotike të llojit heroinë dhe kanabis, të ndarë në doza.

Në përfundim të veprimeve, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe kanabis, kapsula metadoni dhe një sasi lekësh.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Shtuar më 27/11/2020, ora 09:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori