Sekretet e mbledhjes me dyer të mbyllura, Tahiri i shpëton arrestit
Deputetët socialistë dolën dje kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, por janë dakord për vijimin e hetimit të tij dhe kontrollit të banesës

Nga mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, e cila zgjati rreth trI orë për të dalë me një vendimmarrje të përbashkët, palët konkluduan seM në seancën e së mërkurës, do të paraqesin dy raporte të ndryshme.

Deputetët e opozitës mbështesin plotësisht kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, kontrollin e banesës dhe makinës së tij nga organi i hetimit. Pas dëgjimit të palëve, prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe deputetit socialist Tahiri si dhe avokatit të tij, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve debatoi gjatë për të dalë me një vendim. Votimi në këtë këshill ka dalë i barabartë në numër, 5 me 5, për shkak të përfaqësimit të deputetëve në të, duke çuar këshillin me dy raporte në seancën plenare.

“Deputetët e maxhorancës, anëtarë të Këshillit, u shprehën se do të paraqesin në seancë plenare raportin, ku do t’i rekomandohet Kuvendit miratimi i kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Tiranë, për dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar, garancinë pasurore, kontrollin personal dhe të banesës së deputetitKuvendit të Shqipërisë, z.Saimir Tahiri”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.

Ndërsa për opozitën, njoftimi citon se, “Deputetët e opozitës, anëtarë të Këshillit, u shprehën se do i paraqesin Kuvendit në seancë plenare raportin, ku do i rekomandohet Kuvendit miratimi i kërkesës të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimeve të Rënda, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë, kontrollin personal dhe të banesës së deputetitKuvendit të Shqipërisë, z.Saimir Tahiri”.

Burime nga Kuvendi thanë dje se hetimi i deputetit Tahiri nuk pengohet nga imuniteti për shkak se ndryshimet e fundit kushtetuese përcaktojnë heqjen automatikisht të tij, kur deputeti akuzohet për rastet korruptive.

Në këtë mënyrë, sipas burimeve, nuk ka asnjë pengesë që, deputeti Tahiri, i cili nga Prokuroria akuzohet për “korrupsion pasiv”, mund të hetohet pa shkelur Kushtetutën. Socialistët në këtë komision mësohet të kenë rrëzuar pretendimin e Prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri me mungesën e provave reale, që do ta përfshinin atë në veprimtari kriminale me grupin Habilaj.

Ndërsa demokratët, i kanë qëndruar argumentit se faktet dhe provat Prokuroria mund t’i paraqesë vetëm përpara Gjykatës dhe jo para Kuvendit. Sipas tyre, dosja e Prokurorisë i përmbushte kushtet për t’i dhënë të drejtë organit të akuzës për arrestimin e deputetit Tahiri. /panorama/
Shtuar më 22/10/2017, ora 19:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori