Salianji hap zemrën: Rudina Hajdari të reflektojë dhe ne e falim
Djali i Azem Hajdarit iu bashkua edhe sot protestës së opozitës. Ish-deputeti Ervin Salianji thotë se ka vend për të reflektuar edhe nga deputetja Rudina Hajdari, e cila nuk dorëzoi mandatin.

Salianji: Mendoj që në një moment të caktuar të gjithë ata që janë votuar nga PD do të reflektojnë dhe do të rikthehen përsëri për të kontribuar apo për të kthyer kontributin që i kanë dhënë votuesit e PD. Nuk shoh ndonjë lajm të madh. Çdo deputet që ka dalë me siglën e PD-së ka përfaqësimin e demokratëve dhe në një moment të caktuar unë mendoj që do të reflektojnë.

I pyetur nëse dyert e PD-së mbeten të hapura për rikthimin e të përjashtuarve, Salianji thotë se kjo parti e ka thënë fjalën e saj për shkeljen e vendimmarrjes së forumeve, por falja është hyjnore, nënvizon ai.

Salianji: PD ka marrë vendimet e saj. Kjo është një vendimmarrje kundër vendimeve të forumeve të partisë dhe është personale, nuk është e interesit publik. Cilido ka mundësinë të reflektojë, falja është hyjnore.

Mundësinë për një ndërhyrje të presidentit Ilir Meta ish-deputeti demokrat nuk e përjashtoi por për këtë ai kishte një kusht.

Salianji: Është momenti që Rama ti hapë rrugë Shqipërisë. I vetmi që duhet të reflektojë dhe të tërhiqet. Nuk mund të ketë një tryezë me Edi Ramën. Nëse ai pranon të ulet në tryezë te Presidenti duke ofruar dorëheqjen e tij për ti hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike, padyshim që po, pse jo.

Salianji theksoi se nuk mund të ketë qetësi Shqipëria kur ka një qeveri që i vjedh, është e korruptuar dhe përdoret vetëm për interesa personale të një grupi njerëzish.

Salianji: Për datën e ardhshme do të kemi lajmërim por nga nesër do të jemi në terren, në qytete dhe fshatra për ti riorganizuar apo për të komunikuar me qytetarët për hapat që do të ndjekim më tej./Oratv/
Shtuar më 16/03/2019, ora 16:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori