Ekzekutimi i 62-vjeçarit në Maliq, reagon Balla: Mirënjohje për policinë, kryen detyrë me përgjegjësi të lartë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me operacionin e policisë së Korçës dhe Forcave RENEA, të cilët për 8 orë kanë tetuar të negociojnë me 62-vjeçarin Ramiz Muçollari në Maliq, por pas një shkëmbimi zjarri, ky i fundit u vra.

“Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore për ne në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese dhe me komunitetin në çdo cep të territorit. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën”, shkruan Balla.

Kujtojmë se forcat Speciale “Renea”, në bashkëpunim me Policinë lokale të Komisariatit të Policisë Maliq dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korcë, prej më shumë se 8-orësh mbajtën të rrethuar në fshatin Qesarakë, Maliq, banesën e shtetasit Ramiz Muçollari, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij.

Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre.

Ndodhur në këto kushte janë dërguar me urgjencë në vendngjarje, Forcat Speciale “Renea”, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.

Përgjatë natës, Forcat Speciale “Renea”, i kanë bërë thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.

Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale “Renea”, kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës së shtetasit Ramiz Muçollari, i cili ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur zjarr në drejtim të Forcave Speciale “Renea”, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Forcat Speciale “Renea”, në zbatim të plotë të procedurave standarte janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62- vjeçari ka humbur jetën.

Theksojmë faktin se shtetasi Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon kqyrja e vendit të ngjarjes për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.