Sa "fituan" për 3 vjet pushtetarët e Kosovës?
Politikanët e Kosovës
Për 3 vjet në institucione, zyrtarët kosovarë kanë shtuar shumë pasurinë e tyre. Bazuar në të ardhurat e tyre mujore është shumë e vështirë të imagjinohet një rritje aq e madhe e pasurisë.

Gazeta "Zëri" e ka bërë krahasimin e pasurisë së deklaruar të zyrtarëve kosovarë në vitin 2007, kur ishin mbajtur zgjedhjet e parafundit parlamentare dhe më 2010, kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare, ku shihet qartë pasurimi enorm i këtyre zyrtarëve.


Pasanikët e PDK-së

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili kishte fituar zgjedhjet parlamentare në vitin 2007, kishte deklaruar në atë kohë se ka në pronësi një shtëpi në Prishtinë me vlerë prej 150 mijë euro, 70 mijë euro shtëpi në Burojë të Skënderajt, si dhe 140 mijë euro tokë në këtë fshat. Vlera e përgjithshme e pasurisë së deklaruar në atë kohë ishte 360 mijë euro.

Mirëpo, 3 vjet në vonë, kryeministri në largim, Hashim Thaçi, e ka trashur pasurinë për 422 mijë euro, ndonëse ka deklaruar pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro. Thaçi në dhjetor 2010 ka deklaruar 172 mijë euro para të gatshme në bankë, 157 mijë euro tokë për ndërtimin e shtëpisë në Prishtinë, 203 mijë euro shtëpi në ndërtim në kryeqytet, 180 mijë euro tokë si trashëgimi familjare, 80 mijë euro shtëpi familjare në Burojë dhe 100 mijë euro borxh në bankën “NLB Prishtina”.

Sekretari i kësaj partie, Jakup Krasniqi, në fund të vitit 2007, kishte deklaruar 50 mijë euro para të gatshme, 10 mijë euro të tjera në bankë, 250 mijë euro shtëpi në Prishtinë dhe 9 mijë euro një veturë. E gjithë pasuria e Krasniqit në atë kohë vlerësohej 319 mijë euro.

Edhe Krasniqi ka ndjekur rrugën e kryetarit të tij, pasi që pasuria e tij për 3 vjet është rritur për 188 mijë e 500 euro, pavarësisht se të ardhurat e tij vjetore në krye të Parlamentit kanë qenë 32 mijë e 400 euro.

Në fund të vitit 2010, Krasniqi deklaroi 115 mijë euro para të gatshme, 21 mijë euro në llogari bankare, 300 mijë euro shtëpi në Prishtinë, 60 mijë euro tokë në Drenas dhe 11 mijë e 500 euro veturë.

Ministri më i përfolur në Kosovë, Fatmir Limaj, i cili është nën hetime nga EULEX-i për 3 vjet e ka shtuar pasurinë për 105 mijë euro, derisa paga e tij vjetore kapte shumën prej 16.563 euro.

Në vitin 2007, Limaj kishte deklaruar 150 mijë euro dy banesa në Prishtinë, si dhe 750 mijë euro shtëpi dhe tokë në fshatin Banjë të Malishevës. Ndërsa në fund të këtij viti, ai ka deklaruar 272 euro para të gatshme në bankat kosovare, 80 mijë euro banesë në Prishtinë, 70 mijë euro banesë në Prishtinë, 350 mijë euro shtëpi në Malishevë, 500 mijë euro tokë, truall, arë në Malishevë, 20 mijë euro veturë BMW, 25 mijë euro veturë audi. Limaj po ashtu ka 40 mijë euro kredi në “Raiffeisen Bank”.

Nënkryetari tjetër i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka trashur kuletën për 107 mijë euro për tre vjet, ndonëse të ardhurat e tij vjetore arrijnë në 37 mijë e 600 euro.

Në vitin 2007 Hoxhaj kishte deklaruar 2 banesa në Prishtinë në vlerë prej 160 mijë euro, ndërsa në vitin 2010 ai ka deklaruar 37 mijë euro para të gatshme, 65 mijë euro banesë në Prishtinë, 95 mijë euro banesë në Prishtinë, 70 000 mijë euro shpenzime për rinovimin e banesave.

Edhe zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk ka mbetur e varfër për tre vjetët në pushtet, pasi që pasuria e saj është shtuar për 23 mijë euro.


LDK u pasurua nga pushteti

Edhe zyrtarët e partisë me të cilët ka qeverisur për tre vjet PDK-ja nuk qëndrojnë keq financiarisht, pasi që pasuria e tyre e rritur ndjeshëm, në raport me pagat që kanë marrë.

Nënkryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Sabri Hamiti, për 3 vjet e ka shtuar pasurinë e tij për 145 mijë euro. Në fund të vitit 2007, ai kishte deklaruar se ka në pronësi një banesë në Prishtinë, vlera e së cilës ishte 200 mijë euro.

Ndërsa 3 vjet më vonë, pasuria e Hamitit ka arritur në 345 mijë euro, pavarësisht se të ardhurat e tij vjetore janë më pak se 35 mijë euro.

Eqrem Kryeziu “fatkeqësisht” nuk u pasurua aq shumë gjatë këtyre tre vjetëve, pasi që në bazë të asaj që ka deklaruar në vitin 2007 dhe 2010, pasuria e tij është shtuar për vetëm 9 mijë euro.

Në vitin 2007 ai kishte deklaruar se ka shtëpi në Prizren në vlerë 150 mijë euro, 11 mijë euro tokë bujqësore, si dhe 15 mijë euro tokë ndërtimore, por në fund të vitit 2010 ai deklaroi 150 mijë euro shtëpi në Prizren, 20 mijë euro tokë në Pagarushë, si dhe 50 mijë euro një vilë në Prevallë. Kryeziu ka deklaruar edhe 35 mijë euro kredi në “NLB Prishtina”.

Ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, i cili ka qenë në krye të kësaj ministrie prej vitit 2008 e deri në fund të vitit 2010, ka shtuar pasurinë për 250 mijë e 500 euro. Ai ka deklaruar të ardhura vjetore në institucione, 7480 euro të ardhura nga qiraja dhe 5900 euro mëditje nga udhëtimet zyrtare.

Edhe Ramë Manaj e ka rritur pasurinë për 65 mijë euro për tre vjet. Sigurisht në rritje të vlerës së pasurisë së përgjithshme ka ndikuar edhe shtëpinë të cilën është duke e ndërtuar në lagjen “Veternik” të Prishtinës, shumë afër ish-shefit të tij, Hashim Thaçit.


Opozita e pasur

Pavarësisht se ka qenë në opozitë, pasuria e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, është rritur për 252 mijë euro.

Në vitin 2007 ai kishte deklaruar 700 mijë euro shtëpi në Prishtinë, 150 mijë euro shtëpi familjare, si dhe 600 mijë euro tokë në fshatin Gllogjan të Deçanit, 11 mijë euro medalje ari dhe 150 mijë euro automobil të blinduar, 8 mijë euro para të gatshme.

Tre vjet më vonë, Haradinaj ka deklaruar 11 mijë e 800 euro në bankë, 700 mijë euro shtëpi në Prishtinë, 150 mijë euro shtëpi në Gllogjan, 600 mijë euro tokë në Gllogjan, 75 mijë euro tokë në Gllogjan, 11 mijë euro medalje ari, 150 mijë euro veturë e blinduar, 200 mijë euro veturë e blinduar, 10 mijë euro motoçikletë. Megjithatë, ai ka deklaruar edhe 25 mijë euro kredi.

Edhe pasuria nënkryetarit të AAK-së, Ahmet Isufi, është më e lartë për 222 mijë euro, krahasuar me deklarimet e vitit 2007.

Isufi para tri vjetëve kishte deklaruar 75 mijë euro banesë në Prishtinë, 15 mijë euro veturë, si dhe 80 mijë euro tokë në Gjilan dhe 500 euro para të gatshme. Por, tash Isufi ka 200 euro para të gatshme, 74 mijë euro banesë në Prishtinë, 160 mijë euro shtëpi në Gjilan, 180 mijë euro tokë në Gjilan, 13 mijë euro veturë personale dhe 35 mijë euro i ka kredi.


Prin Pacolli

Kreu i Aleancës Kosovare e Re(AKR), Behgjet Pacolli, pa dyshim është lideri më i pasur në institucionet e Kosovës. Pasuria e tij është shtuar pothuajse sa të hyrat e përgjithshme të ndërmarrjes më profitabile në Kosovës (PTK).

Për 3 vjet pasuria e Pacollit është rritur për 121.2 milionë euro.

Në vitin 2007 ai kishte deklaruar 20 milionë euro patundshmëri në Kosovë, 12 milionë euro vlera e aeroplanit personal, 10 milionë euro aksione në 3 kompani në Kosovë, si dhe 190 mijë euro vetura.

Ndërsa në fund të vitit 2010 ai ka deklaruar 15 milionë euro aksione në Bankën Ekonomike, 22 milionë euro në kompaninë e sigurimeve “Siguria”, 26 milionë euro shtëpi dhe troje, 100 milionë euro aksione në kompani anonime brenda dhe jashtë Kosovës, 400 mijë euro në banka.

Edhe pasuria e liderit të LDD-së, Nexhat Dacit, për 3 vjet është shtuar për 220 mijë euro. Në vitin 2007 ai kishte deklaruar 120 mijë euro një shtëpi në Prishtinë dhe 50 mijë euro vilë në Brezovicë. Në fund të vitit 2010, Daci ka deklaruar 41 mijë euro depozita, 250 mijë euro shtëpi në Prishtinë dhe 100 mijë euro kamp-shtëpizë në Brezovicë.

Edhe nënkryetarja e tij, Besa Gaxherri, është pasuruar për rreth 200 mijë euro. Në vitin 2007, Gaxherri kishte deklaruar 150 mijë euro shtëpi në Pejë, 200 mijë euro dyqan në Pejë, 50 mijë euro tokë në Junik, si dhe 100 mijë euro banesë në Pejë, 5 mijë euro ari, 25 mijë veturë “Mercedes”, 3 mijë euro veturë “Ford”. Në fund të vitit 2010, ajo ka deklaruar 3000 euro para të gatshme, 400 mijë euro banesë në Pejë, 100 mijë euro dyqane në Pejë, 200 mijë euro dyqane te “Kulla e Pashës”.


Lista:

Hashim Thaçi për tre vjet u pasurua për 422 mijë euro.
Jakup Krasniqi e trashi kuletën për 188 mijë e 500 euro.
Skender Hyseni u pasurua për 250 mijë e 500 euro.
Ramë Manaj i rriti financat për 65 mijë euro.
Ramush Haradinaj për 252 mijë euro më i pasur.
Behgjet Pacolli, rekordmen, u pasurua për 121.2 milionë euro.
Nexhat Daci e shtoi pasurinë për 220 mijë euro.
Shtuar më 02/01/2011, ora 14:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori