Rritja e lajmeve të rreme dhe nevoja për edukim mediatik
Nga Elion Kollcaku

Lajmet e rreme ose “fake news” janë një fenomen në rritje. Nga raporti i fundit i “Q3 Cybersecurity Report”, gjetjet dolën se ka 312% rritje në lajmë të rreme, pjesa më e madhe nga mediat e reja. Në përkufizimin klasik “fake news” është trillim, gënjeshtër, propagandë apo dizinformim që përdoret për të marrë audiencë (portalet në kërkim të klikimeve), por edhe për të njollosur reputacionin e individëve.

Problemi kryesor qëndron te fakti se publikut i servohen lajme të tilla çdo ditë, e më së shumti nga mediat e reja. Këto lajme ata i marrin si të mirëqena, sepse në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje të verejnë as elementet kyçe që e dallojnë një lajm të rrejshëm nga një lajm i vërtetë.

Kjo, në fakt, përbën një problem të madh. Çon drejt një dukurie e cila duhet të luftohet, sepse fatkeqësisht, teknologjia jo rrallë po shërben si strehë për mashtruesit. Vjedhja e lajmeve pa autorizim po shtohet me shpejtësinë e dritës, dhe as që bëhet fjalë për vërtetim se a është ai lajm i vërtetë. Kjo ndodh për arsyen se mediat janë sot në konkurrencë se cila plason lajmin më parë, dhe jo se cila ka lajmin më produktiv e mbi të gjitha, lajmin e vërtetë. Dhe, shtrohet pyetja se cila është zgjidhja?
Zgjidhja është Edukimi kritik për media ose Edukimi mediatik.

Ose, thënë më saktë, shkathtësia e mendimit kritik që i mundëson individit të krijojë vlerësim të pavarur për përmbajtjet mediatike. Në fakt, ky është thelbi i edukimit për media, aftësia për të menduar në mënyrë kritike për përmbajtjet të cilave u ekspozohemi vazhdimisht nga mjetet e komunikimit masiv. Ne gjithmonë duhet të jemi të vetëdijshëm për arsyet pse i shohim përmbajtjet e caktuara të mediave të reja, pse i dëgjojmë dhe pse i lexojmë prodhimet e caktuara mediatike. Në qoftë se nuk marrim përgjegjësi për përzgjedhjen tonë, nuk mund as t’i kontrollojmë pasojat e kësaj përzgjedhjeje.

Mirëpo, problemi është më i madh se sa duket. Po t’i referohemi analizës së kurrikulës së arsimit bazë, klasa 1-9, dhe arsimit të mesëm, 10-12, që ka bërë Instituti i Zhvillimit të Arsimit, rezulton se ka dy lëndë që japin njohuri për teknologjinë e komunikimit.
Nga pasqyra përmbledhëse rezulton se në shkollën shqiptare jepen kryesisht njohuri teknike për përdorimin e kompjuterit apo internetit, dhe vetëm në dy raste nxënësit informohen për çështjet ligjore dhe etike të krijimit dhe përdorimit të informacionit online, në lëndën Teknologji, klasa e dymbëdhjetë dhe lënda Qytetari, klasa e dhjetë.

Kjo është e pamjaftueshme, sepse fillimisht, ligjërimi bëhet nga profesorë, që nuk përkojnë me median dhe një orë nuk mjafton për të mësuar nxënësit edhe rreth çështjeve më të vogla në lidhje median. Ekspertët e Bashkimit Europian, vlerësojnë që kjo pjesë duhet të ligjërohet nga vetë ekspertët që vijnë nga mediat.
E njëjta situatë është edhe në Kosovë. Në kurrikulat e reja që po pilotohet, brenda lëndës së Gjuhës shqipe, parashihet që të përfshihet një pjesë mbi Komunikimin medial, mirëpo të ligjërohet nga profesorët e Gjuhës shqipe. Edhe këtu, problemi është i njëjtë si në Shqipëri, pjesa e medias ligjërohet nga persona jokompetentë dhe në shumë pak orë.

Problemi kryesor qëndron tek fëmijët, që edhe pse të mitur, shumica prej tyre janë të ekspozuar çdo ditë në rrjete sociale, si Facebook e Instagram, ku plasimi i lajmeve bëhet vazhdimisht.
Një nga faktorët kryesorë për t’i kuptuar efektet që i bën media tek ne është pjekuria e cila rritet me moshën edhe në aspektin kognjitiv edhe në atë emotiv.

Prandaj, fëmijët janë shumë më të ekspozuar ndaj kësaj dukurie, dhe nevoja për edukim që në shkollat fillore është shumë e rëndësishme. Te fëmijët, madje, është ende një problem dallimi i imagjinares me realitetin, dhe prandaj “fake news” do i gjejë ata të papërgatitur, madje mund të jenë edhe viktima.

Stuart Allan e shtron nevojën për edukim mediatik global, që është parakusht për pjesëmarrjen e qytetarëve në sferën publike. Me mundësitë të cilat i ka publiku për të ndërvepruar, për të krijuar, ndryshuar, diskutuar dhe shpërndarë përmbajtje, rritet edhe përgjegjësia e publikut. Ky studiues thekson rëndësinë e rrjeteve sociale për jetën e përditshme të të rinjve të cilët duhet të edukohen për pjesëmarrje të informuar dhe aktive në jetën shoqërore dhe politike.

E se rrjetet sociale janë indikatorë shumë të fuqishëm për shpërndarjen e “fake news”, e tregon më së miri lajmi për një kamp refugjatësh, që do të mblidhte refugjatë nga e gjithë bota në Shqipëri. Madje, kjo pyetje iu parashtrua Kryeminstrit, Rama, edhe nga mediat e huaja, ku ai u përgjigj se ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bën Shqipërinë djep të “fake news” përpara se “fake news” të shfaqej si epidemi botërore.

Njerëzit e thjeshtë e kanë shumë të vështirë ta dekodojnë këtë lajm, duke e kuptuar se nuk është i vërtetë. Prandaj, vetëm përmes edukimit mediatik, ose më saktë, edukimit kritik për media, do të arrihej efekti që lajmi të lexohej në mënyrë kritike, duke analizuar shkaqet, burimet e lajmit dhe koherencën. Pra, të shihet me dyshim çdo përmbajtje mediatike.
Edukimi mediatik të krijon mundësi që të shfrytëzosh mediat, duke mos të lejuar që të jesh i shfrytëzuar prej tyre.

Gjithashtu, një problem tjetër i madh është vjedhja e vazhdueshme e lajmeve, që çon në rritjen e lajmeve të rreme, pasi plasohet si zinxhir edhe në mediat simotra. E problem edhe më i madh është mungesa e autorëve, që lë për të nënkuptuar se përgjegjësia nuk bie mbi asnjë gazetar për lajmin e prodhuar ose të “vjedhur”.
Në Kosovë, KALLXO.com dhe Gazeta JnK morën vendim për të ndaluar çfarëdo ri-prodhimi ose ri-publikimi të plotë apo të pjesshëm të lajmeve, hulumtimeve, webTV, emisioneve, fotografive, grafikave apo çfarëdo produkti tjetër të publikuar dhe/ose transmetuar, pa leje dhe/ose autorizim paraprak me shkrim të BIRN ose Internews Kosova. Dhe, ky është një hap shumë i mirë, sepse jo vetëm që parandalon vjedhjen e lajmeve (këta të fundit ishin deklaruar se mbi 20 mijë artikuj u janë vjedhur), por edhe bëhet mbrojtja e të drejtave të autorit. Kurse, në Shqipëri, ende nuk ka ndonjë veprim të tillë.

Mirëpo, mbi të gjitha problemet e mësipërme, është mosfutja e lëndës “Edukim mediatik” në kurrikulën shkollore të arsimit parauniversitar. Edhe pse kërkesa është thënë se do të merret parasysh, ende nuk ka asnjë hap të marrë as nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri, e as nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë.
Madje, kjo lëndë në Unviersitetin e Prishtinës është lëndë zgjedhore dhe ka vetëm 4 kredite, ndërsa në Universitetin e Tiranës nuk ligjërohet fare.

Me pak fjalë, Edukimi mediatik do të duhej të shihet si nevojë që të bëhet pjesë e sistemit arsimor, sepse një publik i edukuar medialisht do të shërbente më së miri në luftimin e shpërndarjes së lajmeve të rreme.


Shtuar më 17/01/2021, ora 19:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori