UEFA dënon Serbinë për thirrjet anti-Kosovë

Federata Europiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar Serbinë që të luajë një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Europian 2024 me dyer të mbyllura.

Dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë u dha për shkak të thirrjeve diskriminuese nga tifozët serbë në duelin kundër Malit të Zi në Podgoricë. Serbët hapën pankarta dhe brohoritën kundër Kosovës, teksa UEFA i ka dënuar edhe me gjobë.

“Gjobitet Federata e Futbollit e Serbisë me 50,000 €, urdhërohet që të luajë një ndeshje si pritëse me dyer të mbyllura dhe ndalohet Federata e Futbollit e Serbisë që t’u shesë bileta tifozëve të Serbisë për ndeshjen e radhës, për sjelljen diskriminuese të mbështetësve të saj”, thuhet në vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s.

Dënim me mbylljen e sektorit të ultrasve dhe me 20 mijë euro gjobë edhe për kombëtaren e Malit të Zi./Albeu.com/


Shtuar 10.05.2023 16:43