Rrihen dhe iu merren armët dy policëve
Polica e Kosovës
Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile, kanë pësuar lëndime të rënda trupore gjatë një përleshjeje fizike në fshatin Shupkovc të Mitrovicës.

Rrahja mes dy policëve dhe disa personave të tjerë kishte nisur në parkingun para objektit hotelier “Palace” të komunës së Mitrovicës.

Policia në Mitrovicë konfirmon se rasti ka ndodhur rreth mesnatës, ndërsa policia në vend të ngjarjes ka takuar viktimat e këtij rasti, pjesëtarët e policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, me lëndime të dukshme, kryesisht në pjesët e kokës.

Dy të lënduarit, janë dërguar fillimisht në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë, prej nga janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor.

Në bazë të hetimeve të para, dy viktimat, nën rrethana ende të pasqaruara, janë futur në një konfrontim verbal me një person, që ka eskaluar në përleshje fizike.

Dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës iu janë marrë armët zyrtare gjatë përleshjes, njofton policia. Nuk është e qartë nëse në këtë përleshje kanë qenë të përfshirë më tepër persona.

Një plumb i vetëm është shkrepur nga arma zyrtare e policit, gjatë përleshjes me të dyshuarin.

I dyshuari apo të dyshuarit, kanë arritur që së bashku me dy armët zyrtare të policëve të Kosovës të ikin nga vendi i ngjarjes.

Hetuesit policorë nuk kanë arritur që deri në këto qaste të intervistojnë në detaje dy viktimat e rastit, marrë parasysh gjendjen shëndetësore të tyre. Policia ka arritur që të kuptojë emrin e së paku të një të dyshuari të mundshëm të përfshirë në këtë rast, ndërsa janë bastisur dy lokacione, një shtëpi private dhe një lokal në Bajgorë të Mitrovicës, pronë e të dyshuarit.

Gjatë bastisjes, hetuesit policor kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë, pistoleta të kalibrave të ndryshëm, për të cilat i dyshuari nuk posedonte autorizim dhe së bashku me to edhe 10 copë fishek, një karikator të zbrazët dhe një palë dylbi të pushkës. Të gjitha këto janë evidentuar në listën e provave materiale të sekuestruara nga policia.

I dyshuari kryesor i implikuar në rastin e sulmit fizik dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, M.I. (1976), i është vetë dorëzuar autoriteteve policore në sektorin e hetimeve në Mitrovicë, rreth orës 8, të mëngjesit të sotëm, ndërsa i njëjti ka dorëzuar të dy armët zyrtare, “Glock 9x19mm” të marra nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit publik, i dyshuari i arrestuar është intervistuar nga hetuesit policorë dhe ndaj të njëjtit është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si vepër penale kundër jetës dhe trupit si lëndim i rëndë trupor. (express)
Shtuar më 11/09/2010, ora 14:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori