"Rregulli i drurit" në shkolla, i kujt është faji?
Një debat mjaft i nxehtë është krijuar ditët e fundit pas qarkullimit të videos ku shihet qartë sesi mësuesja ushtron dhunë mbi nxënësin.

Më tepër shokuese ishte dhe deklarata e familjarëve të fëmijës, me theks të veçantë tek babai i tij, i cili pranonte se djali ishte problematik dhe se i kishte dhënë leje mësueses ta godiste.

Ky lajm shkaktoi një revoltë të hapur qytetare dhe menjëherë prindërit dhanë një deklaratë tjetër. Familjarët e 12 vjeçarit pranuan publikisht se mësueses i kërkuan që ta qortojë dhe kurrsesi ta godasë.

Lidhur me këtë çështje sensitive, i jemi drejtuar psikologes Anxhela Peza, e cila në një intervistë ekskluzive për Portalin Albeu, ka parashtruar edhe dëmet që i shkaktohen fëmijës. Sipas psikologes, kjo dhunë nuk sjell gjë tjetër veçse "performancë të ulet në shkollë, me vetëvlerësim të dobët për veten, ndrydhje në mendime, komplekse mbi perceptimin e vetes, ndjenja e turpit dhe sikletit, frika e vazhdueshme, reagime fiziologjike, frustracion psikologjik, pagjumësi, anoreksi, bllokim të nxënit, etj".

Për Portalin Albeu, psikologia na sjell në fokus traumën në këtë shoqëri demokratike. "Dhuna është një tjetër dramë e shoqërisë sonë "europiane", që mësuesit përdorin metodën e drurit për mësimnxënie dhe edukim.

Sa për pak informacion, bashkohore tashmë është mësimdhënia në pedagogji me qëndër nxënësin, ku pjesën më të madhe flet ai dhe instruktohet nga mësuesi. Rregulli i drurit s'ka qënë i shkruar në asnjë vend, e në asnjë epoke.

1.Fëmijën e dhunuar e mëson ose të nënshtrohet dhe sensibilizohet me idenë se dhuna është normale, ose e rebelon dhe e përdor dhe këtë kur të na bëhet i madh. 2. Traumën më të madhe e kanë nxënësit e tjerë që e shikojnë këtë barbari. 3. Faji më i madh janë prindërit, që nuk bëjnë ankesa tek mësuesit, në drejtori etj, etj.

Fëmija çohet në shkollë për edukim dhe mësimnxënie, jo për dhunim dhe trauma psikologjike. Jam dakort që mësuesve t'ju bëhet një testim, pasi janë ata që kanë të ardhmen e vendit tonë në dorë, gjënë më të shtrenjtë fëmijën", është rrëfyer ajo. /albeu.com/
Shtuar më 26/01/2015, ora 14:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori