Gazetarë dhe sportistë, burra dhe gra, kush janë disa nga qindra të dënuarit me vdekje në Iran për shkak të pjesëmarrjes në protesta

Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ata u arrestuan natën. Ose kur ishin rrugës për në punë. Ose thjesht u zhdukën pa asnjë gjurmë. Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), që nga fillimi i protestave kundër Republikës Islamike 4 muaj më parë, në Iran janë arrestuar më shumë se 19.000 njerëz.

Ndonjëherë, kalojnë disa ditë para se familjet të mësojnë se çfarë ka ndodhur me njerëzit e tyre. Por shpeshherë ata nuk dëgjojnë asgjë. Ka raporte për tortura dhe dënime të gjata me burg pas gjyqeve farsë nga Gjykatat Revolucionare Islamike të Iranit. Procedurat kryhen me shpejtësi; zakonisht akuzat janë të fabrikuara.

Rrallëherë lejohen avokatët mbrojtës. Gjykata përbëhet nga një gjyqtar besnik dhe merren parasysh edhe rrëfimet e dhëna nën torturë. Ndonjëherë të pandehurit paraqiten në gjyqe me brinjë, krahë ose këmbë të thyera. Më 1 nëntor 2022, u zbatua dënimi i parë me vdekje lidhur me protestat.

Mohsen Shekari u var në litar 5 javë pas dhënies së dënimit kapital. Familja e 23-vjeçarit thuhet se mësoi për vdekjen e tij vetëm pas ekzekutimit të tij. Që atëherë, gjithnjë e më shumë emra po qarkullojnë mes iranianëve që janë akuzuar dhe dënuar për “armiqësi kundër Zotit” (moharebe), ose “korrupsion”, që shpeshherë dënohen me vdekje.

Është e paqartë se sa njerëz janë dënuar deri më tani me vdekje apo që janë ekzekutuar tashmë. Në Iran nuk ka thuajse asnjë gazetar të huaj, dhe raportimi i pavarur është diçka e rrallë. Shumica e të dhënave kanë arritur deri tek publiku përmes aktivistëve ose anëtarëve të familjes, dhe historitë e tyre mund të kombinohen me mundim vetëm me ndihmën e postimeve në mediat sociale. Më poshtë ju tregojmë shkurtimisht historitë e disa njerëzve të dënuar me vdekje, që janë ekzekutuar tashmë ose që janë në pritje.

Mohammad Ghobadlou

Një poster valëvitej nga era nën një urë autostrade në Teheran më 31 dhjetor. Në të paraqitet një tortë ditëlindjeje, por personi të cilit i kushtohet posteri nuk do e kremtoi dot. Mbi tortë, shkruhet: “Jo fajtor”. Ishte ditëlindja e Mohammad Ghobadlou.

Videot në internet tregojnë një të ri të qeshur me flokë të stiluar, duke ngarë makinen dhe duke treguar anektoda. Ndërkohë fotot më të fundit e tregojnë atë në sallën e gjyqit. Ai ka veshur uniformën e  të burgosurve, flokët e tij janë shkurtuar dhe në fytyrë i lexohej rraskapitja.

Një nga gjyqtarët më të ashpër të regjimit islamist e dënoi me vdekje të riun, në fillim të të 20-ve. Ai dyshohet se u përplas me një grup policësh gjatë një demonstrate, duke vrarë njërin prej tyre. Skenat nga gjyqi u bënë enkas publike nga regjimi, në përpjekje për të dekurajuar të tjerët që të vazhdojnë të dalin në rrugë.

Nëna e Ghobadlou thotë se djali i saj vuan nga probleme psikologjike, dhe se autoritet kanë refuzuar t’i japin ilaçet e tij. Më 24 dhjetor, ankesa e tij u refuzua nga Gjykata e Lartë. Ekzekutimi i tij mund të ndodhë në çdo kohë.

Fahimeh Karimi, trajnere volejbolli

Ajo godiste pa pushim derën e qelisë dhe bërtiste “Liri! Liri!”, duke përmendur edhe emrat e fëmijëve të saj. Blogerja italiane Alessia Piperno, që vjeshtën e kaluar ishte mbyllur në të njëjtin burg me Fahimeh Karimi, thotë se të dyja ishin bashkë për 34 ditë në të njëjtën qeli.

Komunikimi ishte gati i pamundur, sepse Karimi nuk është në gjendje të flasë anglisht dhe Piperno nuk dinte persisht. “Por ne ndamë të njëjtën dhimbje dhe të njëjtat frikëra”- thotë italiania. Një ditë, Karimi-n e dërguan në repartin e spitalit dhe nuk u kthye më. Fahimeh Karimi, nënë e 3 fëmijëve të vegjël dhe trajnere volejbolli, po përballet tani me ekzekutimin me vdekje.

Ajo akuzohet se ka qenë udhëheqëse e demonstratave në Pakdasht, një kryeqytet provincial në juglindje të Teheranit, dhe se ka sulmuar një anëtar të organizatës paraushtarake Basij. Politikanët nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Australia kanë kërkuar lirimin e nënës së re. Që nga ajo kohë ajo është transferuar nga burgu famëkeq Evin në Teheran në një burg tjetër. Piperno bëri çmos për lirimin e ish-shoqes së saj të qelisë. Por një ditë pa fytyrën e Karimit në një gazetë. Mbi të shkruhej: “E dënuar me vdekje!”.

Amir Nasr-Azadani, futbollist

Si një futbollist profesionist, 26-vjeçari Amir Nasr-Azadani habit jo pak me imazhin që tregon në profilin e tij në Instagram. Në vend të fotove të makinave luksoze apo pishinave, ai poston imazhe me veshje sportive nga stërvitja në terren, apo nga stërvitja në palestër. Ai ka afro 50.000 ndjekës. “Ata që e njohin Amirin nga afër e dinë se çfarë djali i ndrojtur ishte”- thotë një miku i tij futbollist.

Ndaj miqtë e tij e kanë të vështirë ta besojnë se lojtari nga Isfahani, i ka bërë vërtet gjërat për të cilat akuzohet. Megjithatë Nasr-Azadani ka të ngjarë të përballet me dënimin me vdekje për “armiqësi kundër Zotit”. Ai akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi të armatosur që synonte të luftonte kundër Republikës Islamike.

Në fakt njerëz pranë tij thonë se pjesëmarrja e futbollistit ishte e kufizuar vetëm në brohoritjen e sloganeve në rrugë. Ditën e finales së botërorit në Katar, ylli i muzikës së popit Shakira shkroi në Twitter: “Shpresoj që lojtarët në fushë dhe kudo të kujtojnë se një kolegu i tyre ishte dënuar me vdekje vetëm për mbrojtjen e të drejtave të grave.”

Niloofar Hamedi, Gazetar

Hamedi ishte ndër të parët që dokumentoi fatin tragjik të gruas së re kurde. Jina Mahsa Amini vdiq po atë ditë që u arrestua në Spitalin Kasra, akt që shkaktoi valën aktuale të protestave në Iran. Vetëm pak ditë më vonë, policia arrestoi gazetaren 30-vjeçare.

Zyrtarët e sigurisë i kontrolluar shtëpinë dhe i sekuestruan celularin dhe laptopin. Ndër akuzat e ngritura ndaj saj është edhe spiunazhi, dhe ai mund të dënohet me vdekje. Ajo dyshohet se është trajnuar nga agjenci të huaja të inteligjencës. Sipas raportimeve, ajo ka qenë e mbyllur në izolim që atëherë.

Edhe para vdekjes së Aminit, Hamedi kishte shkruar shpesh për brutalitetin e policisë morale të Iranit. “Ajo shkoi gjithmonë përtej kufirit të saj për të qenë zëri i grave pa zë që u privuan nga të drejtat e tyre, qoftë nga baballarët, burrat, apo nga kufizimet sociale”- tha në tetor një miku i saj për agjencinë Reuters. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 14.01.2023 15:13

Tags: