Publikohen datat, kur dhe si do të bëhet aplikimi për klasat e para dhe të dhjeta

Këtë vit regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë do të bëhen nga platforma e-albania.

Kujtojmë që një vit më parë regjistrimi në këtë mënyrë u aplikua vetëm në 182 shkolla të vendit, ndërsa këtë vit do t’i përfshijë të gjithë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi datën e hapjes së portalit dhe nisjen e aplikimeve për fëmijët e klasave të para.

Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:
Për klasat e para 4 – 17 korrik.
Për klasat e dhjeta 12 – 24 korrik.

Njoftimi i plotë i Kushit:

dashur prindër dhe mësues,

Nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura nga ju për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolëm që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.

Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.

Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:

Për klasat e para 4 – 17 korrik.

Për klasat e dhjeta 12 – 24 korrik.

Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit.

Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin!

#PërArsimCilësor ✍️ /albeu.com