Rexhepi "amanet" policëve: Ruani kufirin
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, vizituan drejtorinë rajonale të Policisë Kufitare në Luzhan të Podujevës. Ata, siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie, biseduan me zyrtarët e Policisë Kufitare për zhvillimet e fundit dhe u interesuan për kushtet e punës së tyre, patrullimet në këtë pikë kufitare dhe shqetësimet që kanë gjatë kryerjes së detyrave.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme inkurajoi zyrtarët e Policisë Kufitare që të kryejnë punën e tyre sipas mandatit që kanë, në ruajtje të rendit dhe ligjit dhe në respektim të tërësisë territoriale, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ministri Rexhepi dhe drejtori Maxhuni gjatë kësaj vizite kanë qëndruar edhe në pikën kufitare në Merdare, për të parë aty nga afër punën që po zhvillohet. Ministri Rexhepi pa nga afër kolonat e gjata të qytetarëve të Kosovës që po pritnin në anën serbe të kufirit.

“Kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion mbi palën serbe që të kryejë obligimet karshi marrëveshjes për lëvizje të lirë të arritur në Bruksel. Është e patolerueshme që qytetarët tanë, që vijnë nga Perëndimi të mbahen me orë të tëra në kufi, për shkak të neglizhencës së qëllimshme të zyrtarëve serbë. Kërkojmë që ky maltretim i qytetarëve tanë të marrë fund”, - citon njoftimi të ketë thënë ministri Rexhepi. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 18:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori