Revoltohet Blushi: Mua Saliu as më ndjek dhe as e ndjek
Deputeti Ben Blushi, pak minuta më parë ka akuzuar hapur qeverinë se po qeveris si Sali Berisha. "Dua në fillim të mbështes të gjithë kolegët, sidomos nga krahu i majtë që bënë të mundur korrektimin e një padrejtësie, që i'u servir parlamentit dy javët e fundit. Heqjen e nenit 92 që parashikonte sekuestrimin e banesës, atij që nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike ti vihej barrë mbi shpinë. Në një kuptim, ti sekuestrohej banesa një fukarai se nuk ka mundësi të paguajë drita. Ky nen është i rëndësishëm për ata që nuk i prek, ka një rëndësi tjetër që dua ta theksoj, tregon se kjo shumicë ka mundësi të korrektojë veten, shumicën.

Pra kjo shumicë ka mundësi të korrektojë veten, dhe ky është një frymëzim i madh për njerëz si puna ime që kanë vendosur të flasin duke besuar se për Shqipërinë, ka më shumë rëndësi e vërteta sesa partia. Ka më shumë rëndësi e vërteta sesa PS, apo çdo parti e marrë bashkë. Po i merret ajo që nuk kanë për të paguar atë që nuk e paguajnë dot dhe do ta bëj deri në fund, edhe sepse kjo që ndodhi sot në Kuvend më jep shpresë.

Sigurisht ka njerëz që nuk janë dakord me mua. Meqë i kam përballë, kam arsye tua them përballë: Ka shumë njerëz që më thonë s’ke të drejtë, papunësia, borxhi nuk është rritur, taksat janë balancuar. Unë i kuptoj të gjithë ata që nuk mendojnë si unë dhe i mirëkuptoj dhe i inkurajoj të flasin më shumë siç ka shumë të tjerë, që mbase kanë nevojë të mbarojnë ndonjë punë, sepse të mbarosh ndonjë punë me këtë qeveri, sot është shumë e vështirë.

E të mbarosh punë me këtë qeveri sot duke më sharë mua, ta bëjnë 3 herë, 4 herë, 5 herë derisa ta mbarojnë punën, sepse nëse mbaroni punën duke më sharë mua, është kosto më e vogël. Por ka dhe ca të tjerë që më kanë thënë që unë flas me gjuhën e Saliut.

Këta më kanë detyruar të vij sot të flas. Dua tu them diçka, mbase nuk e dinë, Saliu është një fantazëm, dhe fantazma ka një veti. Disa i ndjek dhe disa e ndjekin. Do ju them sot kush e ndjek Saliun. Kam një pyetje për ju që më thoni mua flas me gjuhën e Saliut dhe një pyetje për shqiptarët që kuptojnë më mirë. Mua Saliu as më ndjek dhe as e ndjek dhe po ju them kush e ndjek.

E ndjekin ata si puna ime që thonë që papunësia në Shqipëri është rritur në dy vjet, apo ata që kanë thënë do fusim 300 mijë veta në punë, sot thonë që kemi futur 92 mijë veta në punë, ndërkohë që nga Kukësi, një fshat a një lagje po zbrazet!

Kush po e ndjek Saliun, ne që e themi apo ju që qeverisni?! Ata që thonë që një shqiptar i varfër merr më pak para nga shteti apo ata që kanë mundësi që 100 mijë familje në Shqipëri ti nxjerrin nga mjerimi me më pak se 2 mijë lekë në ditë. Kush pra po e ndjek fantazmën e Saliut?!

E ndjekin ata që thonë se çmimi i energjisë është rritur siç jam unë njëri prej tyre dhe them "PO", çmimi i energjisë është rritur. Kjo është kaq e vërtetë, se sot është e enjte dhe nesër e premte, 1 maji.

Kush pra e ndjek Saliun?! Ata që rrisin çmimin e energjisë apo ata që energjinë që ne e prodhojmë, e shesin më lirë dhe atë që e blejmë e shesin më shtrenjtë. Kush pra e ndjek Saliun në Shqipëri?

Ata që thanë do ulin borxhin, apo ata që e kanë çuar borxhin publik mbi 7 miliardë dollarë dhe nuk pranojnë", tha ai në Kuvend. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2015, ora 16:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori