Reuters: Policia shqiptare fiton ndeshjen e kthimit në Lazarat
Policia shqiptare deklaroi të premten fitoren mbi prodhuesit e drogës, që kishin më shumë se 15 vjet që e kishin kthyer fshatin e Lazaratit në jug, në një çiflig personal, ku mbillnin hashash në shkallë industriale, të paprekur nga një shtet anëtar i NATO-s.

Kështu e nis Reuters reportazhin e kushtuar operacionit të policisë shqiptareLazarat. Sipas saj gjatë këtij operacioni, policia shqiptare ka fituar ndeshjen e kthimit në Lazarat.


Policia, me automjete të blinduara dhe furgona, lëviz lirshëm nëpër Lazarat, duke vendosur pika kontrolli dhe duke mbledhur armë pas një operacioni pesëditor, që në fillim u prit me armë zjarri të rënda si mitrolozë dhe granata anti- tank.

Banorët u zgjuan në një fshat pa kanabis, që për shumë prej tyre ka qenë burimi kryesor i të ardhurave. Policia po ushtron kontrolle në kopshte, rrugë dhe disa shtëpi trekatëshe të dekoruara me gurë të prerë bukur.

Thasë me kanabis të konfiskuar u dogjën, spirale tymi mund të duken kudo në fshat, i cili prej vitesh ka penguar përpjekjet e Shqipërisë për të krijuar imazhin e një vendi që nuk i ngjan “Perëndimit të largët”.

“Nuk ka më Lazarat të pathyeshëm dhe kriminal,” tha për Reuters nëndrejtori i policisë shqiptare, Sokol Bizhga.

Ai sjell në kujtesë një ndeshje futbolli të organizuar në fillim të këtij viti mes policisë dhe disa banorëve të Lazaratit si pjesë e një fushate për ndërtimin e besimit të ndërsjellë.

“Na tallën në media pasi humbëm ndeshjen e futbollit kundër tyre,” tha ai. “Ja ku jemi- ne e fituam ndeshjen e fundit”.

Aksioni policor, i urdhëruar nga qeveria socialiste, që mori pushtetin shtatorin e shkuar, ishte i sinkronizuar për të fituar mbështetje në Bashkimin Europian, i cili do të vendosë në fund të muajit nëse Shqipëria do e marrë statusin kandidat për anëtarësim në bllok, pas vitesh hezitimi.

Kanabisi i kapur në Greqi, Itali dhe Gjermani vinte nga Lazarati, që është burimi për rreth gjysmën e të gjithë kanabisit që prodhohet në Shqipëri



MJET JETESE

Për pesë ditë, policia ka shkatërruar më shumë se 80 mijë rrënjë hashashi dhe mbi 23 ton metrik kanabis. Ata kanë kapur 11 armë të rënda, mbi 7 mijë plumba, eksplozivë dhe 10 granata. 14 persona u arrestuan dhe 130 shtëpi u kontrolluan.

Pika e kthesës ishte të enjten, kur një njësi elitare e policisë, duke fluturuar me një helikopter francez Puma nga mali i Sopotit, arriti pas dy orësh që të shpërndajë një grup të armatosur, që kishte edhe një armë anti- ajrore, që kishte ngadalësuar përparimin e policisë.

Krimi mbetet një shqetësim i madh për Shqipërinë, ndërsa ajo kërkon që të bashkohet me rrymën europiane. Lazarati ishte një dhimbje koke e kaosit që ishte grumbulluar në Shqipëri gjatë tranzicionit të rrezikshëm nga sundimi stalinist i Enver Hoxhës.

Kryetari i fshatit, Dasho Aliko, fajëson dhunën me të cilën u përball policia me të arratisurit dhe ata që nuk ishin banorë të fshatit. “Fshatarët e mi ankohen për arrestimet e padrejta, dëmtimet e shtëpive,” tha ai për Reuters. “Por gjëja më e rëndësishme është që nuk ka pasur viktima në sajë të profesionalizmit të policisë dhe fshatarëve”.

Disa fshatarë, megjithatë, janë dukshëm nervozë nga prania e policisë.

“Kur do largohen ata,” pyet njëri një gazetar.

Disa e pranojnë se tregtia e kanabisit kishte vazhduar për një kohë të gjatë, por janë të shqetësuar se çfarë do e zëvendësojë atë si mjet kryesor, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të promovuar prodhimin e veshjeve dhe këpucëve.

Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Europë dhe ka një papunësi zyrtare në nivelin e 18 përqind. “Si do e sigurojnë njerëzit jetesën,” pyet Aliko. “Më thoni ju. Kjo është pyetja që bën çdo banor i fshatit”.

Tregtia e drogës e kishte kthyer këtë komunitet të vogël e të varfër në një vend me vila plot shkëlqim e makina luksoze Policia thotë se shumica e drejtuesve të rrjetit janë arratisur natën. Të premten, disa banorë u shërbejnë kafe policëve. Një burrë i moshuar, dukshëm i kënaqur nga skena, thotë me humor: “Ne jemi të gjithë shqiptarë, vëllezër. Shteti do të shfaqej një ditë dhe e bëri. U desh ca kohë, por gjithçka e ka një fund”.
Shtuar më 21/06/2014, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori