Kontrabanda e mallrave dhe mosdeklarimi i parave në kufi, në 2022 u rritën procedimet penale

Viti 2022 ka regjistruar rritje të procedimeve penale për kontrabandën e mallrave përfshirë edhe ato të akcizës.

Të dhënat zyrtare të Prokurorisë tregojnë se pesha e veprave që lidhen me fushën e doganave mbetet modeste vetëm 1 për qind e totalit në vitin 2022 por në raport me vitin paraardhës është rritur.

“Koeficienti i kriminalitetit për 100 mijë banorë për këtë grup në vitin 2022 është 9.27 ndërsa në vitin 2020 ishte 5.94” vlerëson Prokuroria e Përgjithshme në raportin vjetor.

Ndërkaq duke u ndalur në element të veçantë raporti vlerëson se sa i takon kontrabandës me mallra që paguhet akcizë pesha specifike që zë kjo vepër penale në vitin 2022 në grupin e krimeve në fushën e doganës është 16.22% ndërsa për vitin 2021 ky tregues ka qenë 13.1 për qind.

Nga të dhënat statistikore në vitin 2022 sipas Prokurorisë vërehet tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 172 i Kodit Penal “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” në shifra nga 22 në 42 procedime ose 90.91 për qind në krahasim me vitin 2021.

Ndërkohë sipas raportit sa i takon kontrabandës me mallrat ë tjera, pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime në fushën e Doganave” është 30.5 për qind për vitin 2022 ndërkohë që në vitin 2021 ka qenë 18.45 për qind.

Nga të dhënat statistikore vihet re se procedimet penale të regjistruara për ketë vepër janë rritur me 1.5 herë ku janë regjistruar 79 procedime penale.

“Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabande :Në grupin e krimeve në fushën e doganave në vitin 2022 vihet re tendenca në rritje me 29,79 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabande”, ku kjo vepër ka një peshë prej 23,55 % të procedimeve të regjistruara”, thuhet në raport.

Një tjetër element në dokumentin e Prokurorisë sa i takon Doganave është ajo lidhur me mosdeklarimin në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë.

“Në grupin e krimeve në fushën e doganave në vitin 2022 vihet re tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal “Mosdeklarimi në kufi i te hollave dhe i sendeve me vlerë”, ku kjo vepër ka një peshë prej 18,53 % të procedimeve të regjistruara. Nga të dhënat statistikore vërehet se për vitin 2022 janë regjistruar 48 procedime penale ndaj 36 procedimeve të regjistruara në vitin 2021”, thuhet në raport./monitor