Reagon Princ Leka: Shqiptarët e Maqedonisë nuk janë vetëm (FOTO LAJM)

Pas vendimit të presidenti të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili refuzoi t'i jepte mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, ka shkaktuar shumë reagime.

Kundër deklaratës së Ivanovit, së fundmi ka reaguar edhe princi Leka, i cili ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë vetëm.

"E ndjekim me kujdes të veçantë situatën në Maqedoni. Jemi të tronditur nga shpërthimet ksenofobike që burojnë nga institucionet e shtetit që jo vetëm nuk i ngjajnë një shteti multietnik, por nuk përkojnë as me kohën në të cilën jetojmë.

Shqiptarët si gjithmonë gjuhës së ksenofobisë i janë përgjigjur me maturi.

Kjo cilësi ka bërë që shqiptarët t'i përballojnë vuajtjet shekullore si pasojë e padrejtësive historike. Tani shqiptarët nuk janë vetëm, janë krah më krah me botën e qytetëruar e progresive dhe japin kontributin e tyre pozitiv në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit.

Është iluzion të pritet që shqiptarët të heqin dorë nga vlerat identitare e kulturore, varësisht nga shteti që jetojnë.

Është iluzion të mendohet se shqiptarët janë të ndarë sipas kufinjve gjeografikë.

Ne jemi një komb dhe si i tillë kontribuojmë në Evropën multikulturore!", ka thënë Princ Leka. /albeu.com/
Shtuar më 03/03/2017, ora 08:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori