Sulmohet kandidati për deputet i LSI-së, Ralf Gjoni
Reagon Braçe: Parlamenti funksional
Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka komentuar protestën e sotme të opozitës, ku vlerësoi zhvillimin paqësor të saj, ndryshe nga sa ndodhi të shtunën e kaluar. “Sot besoj që u kthyem në parametrat e duhur të sjelljes, në respekt të ligjit dhe në respekt të qytetarëve të tjerë të Tiranës. U protestua paqësisht dhe janë në të drejtën e tyre ta bëjnë këtë ku të duan”.

Por çfarë do të ndodhë me Parlamentin tani që deputetët e opozitës dorëzuan shkresat e dorëheqjes nga mandati? Për Braçen, secili ndërton një marrëdhënie me votuesit e vet. “Por Parlamenti është funksional, në momentin që ka 71 vota. Në momentin që humbet qoftë edhe një, Parlamenti ezauron mandatin e tij”, shprehet zëvendëskryeministri.

Megjithatë, largimi i opozitës nga Parlamenti sjell një shqetësim, shkruan A2. “Në aspektin e integrimit europian ky është problem shumë i madh”, thotë Braçe. “Këta deputetë po i bëjnë dëm Shqipërisë, të ndikuar nga partitë e tyre dhe një grusht njerëzisht që i kontrollojnë ato. Por zgjedhjet e parakohshme zhvillohen kur mazhoranca nuk ka më vota në Parlament”.

“Mendoj që qeveria, tashmë e vetme, ka një barrë të shtuar për të bërë gjënë e duhur në raport me qytetarët”, shton Braçe, duke iu përgjigjur edhe Presidentit Meta për nevojën për hapa pas nga ana e shumicës: “Në aspektin kushtetues dhe të drejtësisë, vendi, jo ne, nuk ka nevojë për hapa pas. Shqipëria nuk ka nevojë për hapa pas”.
Shtuar më 21/02/2019, ora 15:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori