Rasmussen: KFOR-i veproi për vetëmbrojtje
Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha të hënën në Bruksel se nuk ka nevojë për hetime të veçanta për veprimin e pjesëtarëve të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës.

“I kam marrë raportet dhe kam biseduar me presidentin Tadiq. U kam ofruar serbëve informacione nëpërmjet kanaleve të zakonshme ushtarake”, tha Rasmussen dhe ka theksuar se “trupat e KFOR-it qartazi kanë vepruar në vetëmbrojtje”.

Këto komente ai i bëri në konferencën për shtyp në Bruksel, para mbledhjes së ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Ai theksoi se ministrat do të diskutojnë për Kosovën dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve, që “t’u shmangen aksioneve të njëanshme dhe mesazheve ndezëse”.

“I ftoj të gjithë që të angazhohen për dialog, e jo për konflikte, pasi ardhmëria e sigurt dhe stabile është në interes të të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha kreu i NATO-s, Rasmussen.

Duke u shprehur për praninë e KFOR-it në vendkalimet kufitare, në pjesën veriore të Kosovës, Rasmussen ka shpjeguar se “për ne është e rëndësishme që të jemi atje për t’i mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Më tutje, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka theksuar se “në harmoni me mandatin tonë, ne jemi atje që të garantojmë siguri dhe liri të lëvizjes, dhe në lidhje me këtë ne i ndihmojmë EULEKS-it” dhe shtoi se kemi marrëveshje që pikënisje është se “KFOR-i është i treti që kundërpërgjigjet”.

“E para kundërpërgjigjet policia e Kosovës, i dyti është EULEX-it, ndërsa i treti është KFOR-i”, theksoi Rasmussen.

Por, “gjatë krizës, siç kemi parë, ishte e domosdoshme që KFOR-it të veproj me aksion dhe tash kundërpërgjigjet i pari”, tha i pari i NATO-s.

Ai ka theksuar se kriza më e re në Kosovë ka treguar se sa shpejtë mund të shpërthejë dhuna “dhe sa është e rëndësishme që edhe më tutje që atje NATO-ja ta kryej misionin e saj”.

Rasmussen theksoi se “KFOR-i edhe më tutje do të “garantoj siguri dhe do t’i mbroj të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh kombësinë, tërësisht në mënyrë të paanshme, në harmoni me mandatin e OKB-së”. /rel/
Shtuar më 03/10/2011, ora 17:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori