Intervistë / Ramadani: BDI dhe PDSH heshtin për çështje me rëndësi për shqiptarët
- Intervistoi: Dionis Xhafa -

Një sërë zhvillimesh politike jo me pak ndikim edhe tek shqiptarët kanë ndodhur së fundmi në Maqedoni. Një problem i shfaqur edhe më parë me Enciklopedinë e Maqedonisë lidhur me shqiptarët është shfaqur sërish, e ndërsa një "luan" si stemë e Republikës ka shfaqur kritika të ashpra, sidomos tek shqiptarët, por edhe tek bullgarët.

Për këto zhvillime dhe të tjera, portali Albeu.com ka realizuar një intervistë me analistin politik Ramadan Ramadani.



1. Stema e propozuar për Republikën e Maqedonisë është ajo e një luani, një shenjë e ngjashme me atë të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE. A mendoni se stema është politizim i shtetit?

Po. Bile më saktë kjo mund të cilësohet si partizim, ku nuk është e qartë aspak vija ndarëse mes partisë politike dhe shtetit. Gjë që është konstatuar në raportet e fundit relevante ndërkombëtare dhe KE kërkon që Maqedonia të përmirësojë këtë aspekt të shtetit dhe jo kështu të thellohet më shumë duke bërë kësi tentime për unifikim edhe simbolik me shtetin.

2. Lidhur me stemën, kanë reaguar edhe mediat bullgare, më konkretisht "Telegrafi" ka shkruar se stema i përket Mbretërisë së Dytë Bullgare, duke e akuzuar Shkupin zyrtar për përvetësim të historisë. Sa mendoni se qëndrojnë këto akuza?

Po ka një ngjasim të qartë edhe me stemën bullgare, por kjo është edhe një argument e më shumë që shqiptarët të jenë kundër kësaj steme. Kjo pasi me vite të tëra dhe ende shqiptarëve në Maqedoni ju kontestohen e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar me potencimin e faktit se ky është flamur zyrtar i një shteti tjëtër; në këtë rast Shqipërisë. Si tani shqiptarëve flamuri etnik dhe kombëtar u kontestohet sipas këtij parimi kurse shteti ynë Maqedonia mund të ketë stemë aq të ngjashme me shtetin fqinj të Bulgarisë?!

3. Gazeta maqedonase "Dnevnik" publikoi një studim të Dr.Jovan Trifunovski, sipas të cilit shqiptarët në Shkup kanë ardhur në shekullin e XIX-të nga Shqipëria e Veriut. Cili është mendimi juaj për këtë publikim?

Ato të gjitha janë një sërë publikime të instrumentalizuara nga serbët në kohë e Jugosllavisë që nuk përkojnë aspak me të vërtetën historike. Kanë ardhur në atë kohë shqiptarë në Shkup, por nga Leskovaci dhe qytete tjera në Serbinë qendrore e për të cilët otomanët e atëhershëm kanë bërë një lagje të tërë që edhe sot ekziston në Shkup e që njihet si Mahalla e Muhaxhirve; ose Maxher Malla. Dihet se Shkupi ka qenë që në antikitet i banuar me elemente dardano-ilire kurse Maqedonia si toponim ka filluar shumë vonë dhe shumë më në jug të Shkupit.

Ka një të vërtetë për Maqedoninë e cila vlen edhe për punën e stemës e edhe për krejt historinë. Një e vërtetë të cilën maqedonasit shpesh e harrojnë kurse shqiptarët politikisht nuk e artikulojnë, e ajo është se Maqedonia është shtet i cili është konstituar si shtet edhe i shqiptarëve; kur konstituimi i parë politik i saj ka ndodhë brenda Jugosllavisë si republikë e mëvetshme e maqedonasve, shqiptarëve dhe turqve.

4. Ka disa ditë që LSDM-ja thotë se Zaev do ta shpërthejë "deklaratën bombë" që ende nuk e ka thënë. Çfarë mendoni se mund të jetë kjo deklaratë dhe sa "tronditëse" mund të jetë vërtetë ajo?

Opinioni ende nuk ka informata të shumta për përmbajtjen e kësaj bombe dhe se cilat janë ato skandale që mund të publikohen e që rrezikojnë kredibilitetin e shtetit dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend sipas fjalëve të kryetarit të opozitës. Është shqetësuese pozicionimi me heshtje në lidhje me këtë çështje i dy partive shqiptare si mund që asnjë fjalë nuk u shpëton prej goje për diçka që thuhet se ka lidhje shumë me votuesit dhe anëtarët e tyre?

Si duket këto kuptojnë që të bësh politikë për shqiptarët nënkupton vetëm politikë gjatë cikluseve zgjedhore kurse në periudhat tjera një indiferencë të thellë për hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve në Maqedoni. Mund që nga “bomba” të dal diçka e madhe e cila mandej do detyron edhe Shqipërinë dhe Kosovën të merren me shqiptarët e harruar të Maqedonisë?!

5. Të gjitha shtetet e rajonit përkujtuan 70-vjetorin e Luftës së Dytë Botërore. Është theksuar se në Maqedoni lufta partizane kundër fashizmit dhe nazizmit është lënë në hije, kjo për shkak edhe të faktit se në pushtet është një parti nacionaliste si VMRO-ja dhe që në përbërje ka më së shumti disidentë të sistemit komunist. Kjo duket edhe tek përmendoret në Shkup, ku lufta partizane nuk lartësohet aq shumë, e ndryshe ndodh me figura të tjera të projektit "Shkupi 2014". Cili është mendimi juaj për këtë konstatim?

Ky projekt tërë kohës është qesharak; bile edhe në mangësitë e vet dhe shërbeu vetëm për potencim të disa aspekteve të identitetit të vetëm një pjese të qytetarëve, por stili fashist i rekonstruimit dhe glorifikimit të pjesërishëm të historisë do lë pasoja së pari në atë veçori identitare.

6. Ambasadori amerikan Pol Uollers dhe diplomatë evropianë kanë theksuar se në vend ka tensione etnike, të cilat nxiten më së shumti nga politika. Si e komentoni raportin politikë - raporte etnike apo fetare?

Po, kjo është një punë shumë ashiqare në një vend ku shtetit hyn në çdo pore të shoqërisë dhe ka aq influencë në sajimin e ndarjeve mes qytetarëve. Kjo bëhet edhe më tragjike kur politika, feja dhe etnia përzihen në një tresh i cili sipas parimit të sekularitetit të shtetit është problematik dhe prodhon terren të rrezikshëm për Maqedoninë, po sa ndonjë Trekëndësh i Bermudëve ku mund të fundoset.

Kohëve të fundit ka disa akte të cilat i kanë ndihmuar ndarjes së fesë prej etnisë pasi shpesh binomi etnik këtu është kuptuar edhe si binom fetar. Ashtu Kisha Ortodokse Maqedonase për herë të parë lejoi që gjatë një meshe të përdoret gjuha shqipe./albeu.com/
Shtuar më 08/12/2014, ora 16:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori