“Lëvizin persona me rrezikshmëri të lartë”, makina nuk i ndalet patrullës, ngre në këmbë policinë e Elbasanit

Nuk i ndalon patrullës, një makinë me persona të rrezikshëm brenda alarmon Policinë e Elbasanit

Një automjet ka alarmuar Drejtorinë e Policisë së Elbasanit mbrëmjen e së enjtes. Burime për Abc bëjnë me dije se automjeti me targa B680AB është shpallur në kërkim, dhe po kërkohet në çdo cep të qarkut të Elbasanit, pasi nga të dhënat e policisë dyshohet se me të lëvizin persona me rrezikshmëri të lartë.

Fillimisht mjetit i është bërë me shenjë nga një patrullë policie që të ndalojë në hyrje të qytetit të Librazhdit, por makina nuk ka ndaluar dhe ka filluar lëvizjen në drejtim të qytetit të Elbasanit.

Menjëherë forcat e policisë së Librazhdit kanë njoftuar Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, e cila ka angazhuar menjëherë dy patrulla policie të cilat i kanë kërkuar sërish mjetit që të ndalojë, por është përsëritur e njëjta situatë, pasi makina nuk ka ndaluar.

Menjëherë janë angazhuar të gjitha forcat operacionale të Elbasanit, por pavarësisht angazhimit maksimal nuk ka qenë i mundur ndalimi dhe kapja e personave që udhëtojmë me këtë automjet.